Ka ndërruar jetë në spital, pas disa ditësh në terapi intensive, ish-efektivi shqiptar Fatos Cenaj, i cili u qëllua me armë zjarri në Itali. Ai ishte plagosur rëndë mëngjesin e së dielës në rrugën Casoni Basse në Fontaniva, teksa po shkonte në punë me biçikletë.
Fillimisht u dyshua se plumbi kishte ardhur nga një e shtënë aksidentale, ndoshta nga ndonjë banor që po testonte një armë sportive. Por hetimet kanë përmbysur këtë pistë, duke forcuar dyshimet se bëhet fjalë për një atentat të mirëorganizuar.
Sipas burimeve hetimore, Cenaj udhëtonte çdo ditë me biçikletë drejt fermës ku punonte, rreth dy kilometra nga banesa e tij. Mëngjesin e së dielës, një automjet dyshohet se i është afruar nga pas dhe një person e ka qëlluar nga dritarja me një armë precize. Plumbi e kapi në zonën e veshit dhe përmasat e plagës ishin fillimisht thuajse të padukshme, duke treguar përdorimin e një arme sportive me precizion të lartë – mjet shpesh i përdorur në atentate të sofistikuara.
Ngjarja ndodhi në një zonë të qetë rurale, që përbënte terren ideal për një sulm të tillë dhe për largim pa lënë gjurmë. Deri tani nuk janë identifikuar dëshmitarë të ngjarjes, ndërsa autoritetet po analizojnë pamjet nga kamerat e sigurisë në zonën përreth për të zbuluar autorin apo autorët. Hetimet vijojnë në disa pista.