Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj bllokadës në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje për pengesat aktuale dhe vonesat institucionale.
Në një deklaratë publike, Krasniqi kujtoi se katër muaj më parë qytetarët e Kosovës dolën në zgjedhje të lira dhe demokratike për të përcaktuar drejtimin e ardhshëm të vendit. “Ata i thanë jo sundimit njëpartiak të katër viteve të fundit dhe i dhanë shumicën parlamentare partive opozitare të mandatit të kaluar,” tha ai.
Por sipas tij, vullneti i qytetarëve po cenohet nga sjellja e Lëvizjes Vetëvendosje. “Katër muaj më vonë, është pikërisht partia e mentalitetit monist, LVV, ajo që nuk po lejon të konstituohet dhe të materializohet ky vullnet. Kjo nuk është më politikë – kjo është tendencë për të mbajtur peng vullnetin e qytetarëve,” u shpreh kryetari i PDK-së.
Ai theksoi se PDK ka mbajtur qëndrime të qarta dhe konsistente, duke nënvizuar se vendit i duhet urgjentisht jo vetëm Kuvendi, por edhe një qeveri e re funksionale për të përballuar sfidat dhe nevojat e qytetarëve.
“Nuk ka asnjë arsyetim më tej që për shkak të kryeneçësisë politike të Kurtit dhe LVV-së, me insistimin e tyre për ta bërë kryetare Albulena Haxhiun pa pasur shumicën parlamentare, vendi të qëndrojë i bllokuar. Kjo situatë nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojë më tej,” përfundoi Krasniqi.



