Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) do të vazhdojë të operojë në vend deri më 14 qershor 2027. Këshilli i Bashkimit Evropian në Luksemburg, në mbledhjen e datës 5 qershor 2025, ka marrë vendim për zgjatjen e mandatit të EULEX-it për dy vite të tjera.
Komiteti Politik dhe i Sigurisë i BE-së ra dakord për këtë zgjatje, duke siguruar vazhdimësinë e misionit që ka qenë prezent në Kosovë që nga viti 2008, pas shpalljes së pavarësisë së vendit. EULEX-i erdhi për të zëvendësuar misionin e OKB-së, UNMIK, megjithatë me kompetenca më të kufizuara.
Mandati i mëparshëm i EULEX-it ishte i vlefshëm deri më 14 qershor 2025, dhe tani është shtyrë për dy vite të tjera. Për periudhën 15 qershor 2025 – 14 qershor 2027, janë siguruar 170,866,980 euro për mbulimin e shpenzimeve të misionit. Nga kjo shumë, 64.5 milionë euro janë dedikuar për operacionet në Kosovë, ndërsa 106.3 milionë euro do të shkojnë për mbështetjen e procedurave gjyqësore të zhvendosura në një shtet anëtar të BE-së.
Në vitet 2011 dhe 2012, kompetencat e EULEX-it u zvogëluan më tej, pas heqjes së “mbikëqyrjes ndërkombëtare” mbi pavarësinë e Kosovës.
Ky mision mbetet një pjesë kyçe e përpjekjeve ndërkombëtare për të mbështetur sundimin e ligjit dhe stabilitetin në Kosovë në një periudhë të rëndësishme të zhvillimeve politike dhe institucionale.



