Shtetasi nga Kosova Binak Kabashi, i cili u plagos rëndë me armë zjarri dy netë më parë në Podgoricë, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Ngjarja ndodhi pranë Kishës së Shën Gjergjit, poshtë kodrës së Goricës në kryeqytetin e Malit të Zi.
Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga mediat malazeze dhe ato kosovare, të cilat publikuan edhe detaje të reja mbi ngjarjen tragjike.
Pas raportimit të incidentit, policia malazeze nisi menjëherë kërkimet për autorin e dyshuar. Brenda ditës, një person me inicialet E.B. u arrestua në zonën pranë lumit Moraça. Mbi të rëndon tashmë akuza për vrasje.
Hetimet për ngjarjen po vijojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur motivet e atentatit që i mori jetën Kabashit.



