Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka akuzuar sërish autoritetet e Kosovës për veprime të organizuara kundër komunitetit serb në veri të vendit, ndërsa ka kritikuar ashpër qëndrimin e shteteve perëndimore përballë kësaj situate.
Në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, Vuçiç tha se incidentet dhe zhvillimet e fundit në veri të Kosovës janë rezultat i “veprimeve të organizuara” nga Prishtina, të shoqëruara nga “heshtja kumbuese” e komunitetit ndërkombëtar, në veçanti vendeve perëndimore.
“Ata po heshtin sepse shpresojnë që, në heshtje, populli serb do të dëbohet nga tokat e tyre shekullore në Kosovë”, deklaroi Vuçiq. Ai shtoi se kjo situatë po shkakton “nervozizëm” te disa aktorë ndërkombëtarë, çka sipas tij, mund të shfrytëzohet politikisht nga Serbia.
Qeveria e Kosovës ka nisur që nga fillimi i vitit 2024 një fushatë për mbylljen e institucioneve që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë në komunat veriore, duke përfshirë bankat, postën, fondet shëndetësore e pensionale, qendrat sociale, si dhe objekte të tjera publike si biblioteka, salla sportive dhe muze. Prishtina i konsideron këto institucione të paligjshme dhe paralele.
Mbyllja e tyre ka nxitur kritika nga faktori ndërkombëtar për mungesë koordinimi dhe për ndikimin në jetën e përditshme të komuniteteve joshumicë në veri. Vetëm disa orë para intervistës së Vuçiqit, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në OSBE, Neil Holland, shprehu shqetësim për natyrën e pakoordinuar të këtyre veprimeve, që sipas tij, prekin shërbimet jetike për qytetarët serbë dhe komunitetet e tjera joshumicë.
Në intervistën e tij, Vuçiç foli edhe për përpjekjet e Kosovës për të zgjeruar njohjet ndërkombëtare të pavarësisë. Ai pretendoi se shqiptarët, me mbështetjen e disa fuqive perëndimore dhe Turqisë, janë duke u përpjekur të bindin shtete të reja për ta njohur Kosovën. “Është jashtëzakonisht e vështirë që të kundërshtohet kjo. Ne nuk kemi aq para, armë apo burime sa ata”, deklaroi Vuçiç, pa ofruar prova për këto pretendime.
Kohët e fundit, Kenia dhe Sudani kanë njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, duke e çuar numrin e shteteve njohëse në 116, sipas Ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Vuçiç përmendi gjithashtu një projekt infrastrukturor, duke bërë të ditur se ka biseduar me kompaninë amerikane “Bechtel” për ndërtimin e segmentit të mbetur të autostradës Kralevë–Novi Pazar, që do të lidhte Serbinë me pikën kufitare të Jarinjës dhe më tej, me Mitrovicën e Veriut.
Sipas tij, një lidhje rrugore e tillë do të kishte rëndësi strategjike për komunitetin serb në veri dhe do të përbënte një “rrugë paqeje” edhe për shqiptarët, nëse lidhej me infrastrukturën rrugore të Mitrovicës së Jugut.
Kujtojmë se ideja për ndërtimin e kësaj rruge është kundërshtuar më herët nga autoritetet e Kosovës. Në vitin 2021, Qeveria Kurti deklaroi se Serbia nuk mund të ndërtojë infrastrukturë brenda territorit të Kosovës, duke e cilësuar projektin si të pavend dhe të papranueshëm.



