Shqipëria dhe Sllovenia kanë nisur zyrtarisht negociatat për një marrëveshje hibride në fushën e punësimit dhe sigurimeve shoqërore. Takimi u zhvillua në Ljubjanë, ku pala shqiptare u përfaqësua nga zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, ndërsa pala sllovene nga sekretari i shtetit, Igor Feketija.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se marrëveshja synon krijimin e një baze të qëndrueshme bashkëpunimi midis dy vendeve në fushat e punësimit dhe sigurimeve shoqërore. Qëllimi është që qytetarët të mos humbasin vitet e punës për pensionet e pleqërisë dhe të përfitojnë nga të drejtat e punësimit në të dy shtetet.
Gonxhja nënvizoi se kjo marrëveshje është një hap përpara në plotësimin e kritereve për integrimin evropian, duke e çuar në 21 numrin e marrëveshjeve bilaterale në fushën e mbrojtjes shoqërore që ka Shqipëria.
Së fundmi, u miratua marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të kontributeve për pensionet mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila pritet të hyjë në fuqi në qershor dhe do të përfitojë mbi 500 mijë shqiptarë dhe shumë shtetas italianë.
Që prej vitit 2005, Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme me vende si Turqia, Belgjika, Gjermania, Kanadaja, Kosova dhe të tjera, ndërsa janë në proces miratimi marrëveshjet me Malin e Zi, Bullgarinë, Poloninë dhe Serbinë.
Negociatat për marrëveshje me vende si Spanja, Danimarka, Moldavia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Franca janë në faza të ndryshme, ndërsa me Greqinë procesi mbetet në diskutim teknik për shkak të kompleksitetit.
Në total, Shqipëria po punon për të arritur rreth 27-28 marrëveshje bilaterale në fushën e sigurimeve shoqërore, duke forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përmirësuar mbrojtjen sociale për qytetarët e saj.



