Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi ka njoftuar se kanë mbërritur pasaportat dhe kartat e identitetit për të cilat qytetarët shqiptarë kanë aplikuar në datat 5, 6, 7, 8, 9 dhe 10 maj 2025.
Tërheqja e dokumenteve biometrikë mund të bëhet në dy mënyra:
Fizikisht pranë sporteleve të Ambasadës, gjatë orarit zyrtar:
E hënë – e enjte: 09:00 – 14:30
E premte: 09:00 – 14:00
E shtunë: 09:00 – 13:00
Me postë ose korrier, në adresën e banimit të deklaruar gjatë aplikimit, sipas formularit të nënshkruar nga aplikuesi.
Ambasada u kujton qytetarëve se për tërheqjen fizike të dokumenteve është i detyrueshëm kuponi i aplikimit.
Në njoftim theksohet gjithashtu se të gjitha kartat ID të dërguara me postë janë të paaktivizuara elektronikisht dhe nuk mund të përdoren për shërbime bankare në Shqipëri, duke u bërë kështu të papërdorshme për një sërë procesesh administrative.
Afati i vlefshmërisë për tërheqjen e dokumenteve biometrikë është një vit nga data e aplikimit. Pas këtij afati, dokumentet do të konsiderohen automatikisht të refuzuara.
Ambasada e Shqipërisë në Athinë u bën thirrje qytetarëve të ndjekin me kujdes udhëzimet përkatëse për të shmangur vonesa apo komplikime në marrjen e dokumenteve të tyre zyrtare.



