Kam jetuar jashtë Shqipërisë për shume vite. Përvoja ime nuk ka qenë e jashtëzakonshme, por as e lehtë. Ka qenë e ngarkuar me punë, me përpjekje për të krijuar një jetë të qëndrueshme në kushte që shpesh nuk ishin të favorshme.
Si shumë emigrantë të tjerë, kam ndërtuar identitetin tim diku tjetër, në një realitet të ndryshëm nga ai që lashë pas.
Këtë herë vendosa të kaloj një muaj në Shqipëri – jo për pushime, por për të kuptuar në heshtje nëse kishte më vend për mua këtu. Një vend për të jetuar, për të kontribuar, për të filluar diçka që ka kuptim.
Një kthim që nuk ka të bëjë me nostalgji, por me pyetjen: A ka kuptim të rikthehem dhe të ndërtoj diçka në vendin ku fillova?

Gjatë këtyre tridhjet ditëve, jam përpjekur të shoh, të dëgjoj dhe të kuptoj. Kam takuar njerëz që më kanë mikpritur me ngrohtësi, por edhe njerëz që më kanë parë me dyshim. Jo sepse kam bërë ndonjë gjë të gabuar, por sepse në shume raste, emigranti shihet si i huaj, edhe kur flet të njëjtën gjuhë.
Ka një mur të padukshëm, të ndërtuar nga pritshmëri të gabuara, paragjykime dhe ndonjëherë frikë.
Më është thënë shpesh: “Këtu gjërat nuk funksionojnë si jashtë”. Dhe kjo nuk është thjesht një deklaratë. Është një sinjal për të mos insistuar shumë. Është një mënyrë e butë për të të treguar se vendi është i zënë – me ritmet, me lidhjet, me “rregullat” që nuk të shpjegon askush, por që të gjithë i dinë.
Nuk kam kërkuar të imponohem. Nuk kam ardhur me idenë se di më shumë, apo se kam të drejtë për më tepër. Por kam ardhur me një përvojë të fituar me mund, me etikë punë dhe me respekt për njerëzit. Dhe po e them me bindje: Shqipëria ka nevojë për këtë përvojë – as më shumë e as më pak. Për fat të keq, sistemi aktual nuk e bën të lehtë rikthimin.
Janë të rralla iniciativat që ndihmojnë emigrantët të integrohen serish, jo si turistë që vijnë për dy javë, por si njerëz që duan të jetojnë dhe të kontribuojnë. Shpesh të duhet të fillosh nga zero, edhe pse mbrapa ke një jetë të tërë përvojë. Dhe kjo është lodhëse.
Kam vënë re se shumë gjëra kanë ndryshuar në pamje – rrugë, ndërtesa, kafene. Por ka ende shumë për të ndryshuar në mënyrën si bashkëjetojmë, si bashkëpunojmë dhe si e pranojmë njeri-tjetrin. Kthimi nga emigracioni nuk duhet pare si luks apo si “projekt personal”, por si një akt i natyrshëm i të drejtës për të qenë pjesë e shoqërisë tende. Në këto ditë, kam ndjere zhgënjim, pasiguri, por edhe një lloj force të brendshme që më thotë: Mos u dorëzo. Sepse ka ende njerëz të mirë, të drejtë, që e kuptojnë se vendi ndërtohet nga ata që duan të japin, jo vetëm nga ata që presin.
Nuk kam një plan përfundimtar. Por e di që dëshira për të qenë pjesë nuk është e gabuar. E di që rrënjët nuk i përcakton vetëm toka ku ke lindur, por vendi ku mund të ndërtosh me dinjitet. Nëse Shqipëria dëshiron të përfitojë nga përvoja e bijve dhe bijave të saj që janë larguar, duhet të krijojë më shumë rrugë për t’i dëgjuar dhe për t’i përfshirë.
Jo vetëm në fjalë, por me veprime konkrete. Tridhjetë ditët e mia në Shqipëri nuk kanë dhënë të gjitha përgjigjet, por më kanë dhënë një qëllim. Një pjesë e Shqipërisë më syrin tim të qartë: Të mos heq dorë nga e drejta ime për të kërkuar vendin tim këtu. Jo për t’u kthyer në të kaluarën, por për të qenë pjesë e një të ardhmeje që dua të ndërtoj me përkushtim.
Nga Arjana Koxhaj Dervishi
Email: [email protected]



