Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të nisë më 15 maj një raund konsultimesh me krerët e partive politike, në përpjekje për të zhbllokuar konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit, pas më shumë se tre muajsh paqartësi institucionale që pasuan zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ftesës së presidentes i janë përgjigjur pozitivisht tre nga subjektet kryesore politike në vend: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilat konfirmuan pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Presidenca.
“Na vjen mirë që, ashtu siç ka propozuar PDK, po ndërmerren hapa institucionalë që shpresojmë se mund të ndihmojnë në tejkalimin e krizës politike,” deklaroi Faton Abdullahu, zëdhënës i PDK-së, duke konfirmuar pjesëmarrjen e kreut të partisë, Memli Krasniqi. Ai shtoi se takimi duhet të jetë një hap drejt formimit të institucioneve të reja, të cilat, sipas tij, janë jetike për vendin.
Edhe LDK e AAK konfirmuan se do jenë të pranishme në konsultimet e 15 majit. “Po, kryetari Lumir Abdixhiku do të marrë pjesë në takim,” bëri të ditur Besian Mustafa nga LDK. Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, tha shkurt: “Kryetari Ramush Haradinaj do të jetë i pranishëm.”
Në një prononcim për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, tha se “ftesat për takimet e para janë dërguar dhe aktualisht po presim konfirmimet nga përfaqësuesit politikë.” Ai shtoi se presidentja Osmani është e përkushtuar të luajë një rol aktiv në gjetjen e një rruge institucionale për të zhbllokuar situatën e pazakontë në të cilën ndodhet vendi.
Ngërçi politik ka thelluar shqetësimet rreth stabilitetit institucional në Kosovë, pasi Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet as pas 14 tentativash. Kjo ka bërë që shumë analistë dhe përfaqësues politikë të kërkojnë ndërhyrjen e Presidentes, si një arbitër kushtetues, për të hapur rrugën e formimit të institucioneve të reja.
Konsultimet e 15 majit pritet të jenë një provë për gatishmërinë e spektrit politik për të kapërcyer ndasitë dhe për të përqafuar një zgjidhje konsensuale në interes të funksionimit demokratik të shtetit.