Në prag të zgjedhjeve vendimtare, Jozefina Topalli, drejtuesja politike e Partisë Demokratike për Diasporën, ngriti alarmin për atë që e cilësoi si “anomali të pashpjegueshme” në procesin e votës së emigrantëve në Greqi. Në një konferencë për mediet të mbajtur sot në Tiranë, Topalli akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për lejimin e një praktike që, sipas saj, rrezikon të zhbëjë të gjithë integritetin e votës së diasporës.
“Sot ka ndodhur edhe ajo që nuk e imagjinonim: zarfet po dorëzohen me dorë në KQZ”, tha ajo, duke shtuar se një praktikë e tillë bie ndesh me Kodin Zgjedhor dhe përbën krim elektoral. Ajo kërkoi ndalimin e menjëhershëm të dorëzimit fizik të zarfeve nga Greqia dhe një trajtim të veçantë të të gjitha kutive që mbërrijnë nga ky vend.
Sipas saj, vetëm në tre ditët e fundit janë shtuar 22 mijë vota nga Greqia, ndërkohë që për tre javë kishin ardhur vetëm 17 mijë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin e procesit. “Kjo është një anomali,” deklaroi Topalli, “një derivat i të gjitha thyerjeve që kanë ndodhur në Greqi gjatë kësaj periudhe.”
Duke iu referuar dëshmive të qytetarëve që nuk kanë marrë fare zarfin në shtëpi ose e kanë gjetur të manipuluar, Topalli tha se nëse kutitë mbërrijnë të mbushura, ndërkohë që një pjesë e madhe e shqiptarëve në Greqi nuk kanë pasur mundësi të votojnë, atëherë nuk kemi të bëjmë me zgjedhje të lira, por me manipulim të pastër.
Ajo theksoi se Partia Demokratike ka dorëzuar dje një kërkesë zyrtare në KQZ ku denoncon “shkeljet e rënda dhe krimet elektorale që kanë ndodhur.” Sipas saj, kthimi i shërbimit të postës nga kompania DHL te “strukturat e pushtetit në Tiranë” ka përçuar procesin në një trajektore të rrezikshme, ku shteti dhe partia janë bërë një.
Topalli u bëri thirrje shqiptarëve jashtë vendit, veçanërisht atyre që nuk janë regjistruar apo nuk kanë marrë pjesë në votime, që të kthehen në Shqipëri dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre më 12 maj. “Nuk duhet të lejojmë që vota të nëpërkëmbet,” tha ajo.