Pas dy javë pushime, nxënësit u kthyen përsëri në shkollë për të vazhduar programin mësimor.
Nxënës, prindër ishin të mbledhur në oborrin e shkollës dhe të tjerë shikoja si ecnin në rrugë gjithë qejf përdore me prindërit, duke iu drejtuar portës së shkollës.
I shikoja me shumë dashuri e përmallim. Me çantat në shpinë dy nga dy e tre nga tre nuk iu mungonte as gëzimi dhe as e qeshura. I dëgjoja gjithë kërshëri tek flisnin e flisnin me njëri-tjetrin. Në çastin që ra zilja e shkollës nxënësit u mblodhën ashtu si ndodh përherë në resht dhe filluan të hynë për në klasë. Secili u ul në vendin e tij. Nuk mund t’iu ndërprisja bisedat e t’iu thosha: Nxirrni librat! Bëhemi gati për mësim! Kishin gëzimi, sa shumë urime dhe përshëndetje .
Si je Era? Po ti Anita si kalove?
Po ti Elidon kur erdhe nga Shqipëria? Dëgjoje sa majtas dhe djathtas urime për Pashkët, përshëndetje të malluara nga zërat gazmorë të fëmijëve..
Aq u desh që t’i pyesja si i kaluat pushimet e pranverës? Po festën e Pashkës ku e kaluat? – dhe në çast filluan të tregonin pambarim .
-Mësuese, sa bukur kaluam në mal, – natyra kishte filluar të gjelbëronte, tregonte Angjelezi.
Ne, shkuam në fshatin e gjyshit, – tregonte Klajdi. Është një gëzim i madh të shohësh pemët e bajameve të veshura me lule të bardha, ishin të lulëzuara si nuse të bukura mbi livadhet e gjelbërt.
Shumë bukur kaluam edhe ne mësuese, foli i entuziazmuar edhe Matiani. Ne qëndruam një javë tek dajo Bujari, atje ka det dhe shkojmë për peshkim.
Eh , deti…sa i bukur dukej me varkat, por ne nuk guxuam të fusnim as këmbët buzë detit, sepse uji ishte shumë i ftohtë.
Donika nisi të tregonte se shkuan me disa familje të lagjes për të kaluar Pashkën në pyllin afër qytetit. Atje kishin shijuar ushqimet dhe kishin thyer me njëri-tjetrin vezët e kuqe.
Cicërimat e zogjve dëgjoheshin papushim, u kishin hedhur dhe thërrime buke. E qeshur fliste për lulet që kishin mbledhur dhe për lojrat kukafshehti që kishin luajtur drurëve të lartë të pyllit.
Ah! Sa shpejtë që mbaruan pushimet, si kaluan dy javë pa u kuptuar – u shpreh Elidoni gjithë pakënaqësi.
Nisi e na tregoi… gjyshi im banon në Memaliaj, afër me Tepelenën. Një ditë na premtoi se bashkë me motrën do të na çonte të një miku i tij që është bari. U kënaqëm shumë që pamë qengja të bardhë.
Qengjat kullosnin në shpatin e gjelbërt të malit. Bariu ishte i ulur më tutje në një hije peme dhe po i binte fyellit, ndërsa qeni i kopesë rrinte pranë tij duke shijuar rrezet e diellit.
Nikoleta tregoi se gjyshja i kishte mësuar një këngë për stinën e pranverës Të gjithë nxënësit iu lutën që ta këndonte, por Nikoleta kishte turp, nuk pati guxim ta fillonte këngën. Mësuesja e ndihmoi duke e gjetur këngën në YouTube.
Nikoleta mori guxim dhe filloi të këndonte një herë, dy herë, tri herë. Kënga u pëlqeu kaq shumë fëmijëve ku e mësuan shumë shpejt dhe e kënduan bashkë me Nikoletën gjithë gëzim…
Ja na erdhi pranvera,
Lulet lulëzojnë,
Zogjtë si nga përherë,
Foletë i ndërtojnë.
Shkëlqen dielli rreze artë,
Natyra gjallëron,
Pas dimrit të acartë
Blerimi kudo mbulon…
Pati dhe të tjerë fëmijë që treguan ngjarje nga ditët e pushimeve. Pasi përjetuan ngjarje e u mbushën plot emocione, zërat gazmorë të fëmijëve iu kthyen mësimit, Abc-së, duke shijuar tingullin e shkronjës R,r. Është e mrekullueshme, sa bukur tingëllon gjuha jonë e dashur shqipe në buzët e vogëlushëve.
Mësuesja vazhdoi hapat drejt tabelës së klasës duke vizatuar një re që lëshonte disa pika shiu. Reja dukej sikur qante. Brenda në re shkruajti bukur grafikun e shkronjës R-ë të madhe dhe r-ë të vogël. Fëmijët vunë re se tabela kishte ndryshuar, ajo shkëlqente, dukej më e re. E kishte lyer mësuesja me merak kur fëmijët ishin me pushime. Donte që fëmijët të shkruajnë pa vështirësi, lehtë e bukur. Me sa dëshirë shkruan në tabelën e klasës shkronja dhe fjalë të ëmbla shqipe.
Sa shpejtë mbaroi ora e mësimi mes gëzimit, mes botës së librave të gjuhës shqipe dhe bankave shkollore duke na dhënë mesazhin se dituria është e vetmja gjë në botë me vlerë por pa çmim. E vetmja gjë që fitohet dhe nuk blihet.
Ndaj fëmijë të dashur shfrytëzoni kohën për të ndriçuar mendjen tuaj me dituri.
Shkruar nga mësuese Lefteria që ju do fort!