Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po zhvillon një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku synon të sigurojë mbështetjen e ish-presidentit Donald Trump për një vizitë të planifikuar më 9 maj në Moskë, në Ditën e Fitores ndaj Nazizmit. Por përtej kësaj agjende simbolike, Vuçiç ka vënë në qendër të qëndrimit të tij edhe çështjen e Kosovës, për të cilën kërkon dëshpërimisht mirëkuptimin amerikan.
Gjatë një komunikimi me gazetarët në SHBA, Vuçiç shprehu pakënaqësinë e tij ndaj, siç i cilësoi, “standardeve të dyfishta” të perëndimit, duke i kërkuar SHBA-së një qasje të njëjtë për të gjitha rastet që kanë të bëjnë me të drejtën ndërkombëtare.
“Nuk mund të thoni se jeni për respektimin e Kartës së OKB-së dhe së drejtës ndërkombëtare kur bëhet fjalë për Ukrainën, dhe më pas të harroni atë që ndodhi me Serbinë,” tha Vuçiç, duke iu referuar ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Presidenti serb deklaroi se kishte zhvilluar një bisedë me Rudy Giuliani-n, ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut dhe bashkëpunëtor të Trumpit, në të cilën kishte theksuar: “Nuk mund të flitet për krim në Ukrainë dhe të anashkalohet ajo që ndodhi në Serbi, kur 13-14% e territorit tonë u mor me forcë.”
Ai hodhi gjithashtu kritika për qëndrimin e perëndimit ndaj Bosnjë-Hercegovinës, duke i quajtur të padrejta akuzat ndaj liderit serb të Republikës Srpska, Milorad Dodik. “Si mund të thuash se Kosova është e pavarur, e më pas Dodiku që kërkon autonomi të jetë kriminel?”, shtoi Vuçiç.
Presidenti serb pretendoi se do të zhvillojë dy takime me Donald Trump gjatë kësaj vizite dhe u shpreh i bindur se do të përçojë mesazhet e tij, përfshirë qëndrimin e përsëritur se “Kosova i përket Serbisë”.
Vizita e Vuçiçit në SHBA dhe përpjekja për të afruar qëndrimet me figurat republikane vjen në një moment tensioni të vazhdueshëm në rajon, ku marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të ngrira dhe të rrezikuara nga retorika destabilizuese dhe mungesa e progresit në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.



