Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) ka publikuar raportin vjetor për vitin 2024, duke ofruar një pasqyrë të gjerë të veprimtarisë së tij në shërbim të transparencës, edukimit qytetar dhe përballjes me të kaluarën komuniste.
Në qendër të raportit është theksuar një rritje e ndjeshme e përpjekjeve për digjitalizimin dhe deklasifikimin e dokumenteve, me 17,303 dosje dhe mbi 1 milion faqe të përpunuara vetëm gjatë vitit të kaluar – një shifër rekord në historikun e institucionit. Deri më tani, AIDSSH numëron 23,663 njësi arkivore të aksesueshme për studiuesit dhe qytetarët.
Nga 3,701 kërkesa individuale të mbërritura që prej themelimit të institucionit, 96% janë trajtuar dhe mbyllur. Gjatë 2024-s janë verifikuar 263 kandidatë për pastërtinë e figurës, ku 25 prej tyre rezultojnë me lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit.
Raporti nënvizon gjithashtu avancimin e AIDSSH në drejtim të komunikimit publik, me 44 njoftime për shtyp dhe mbi 500 postime në rrjetet sociale, si pjesë e një strategjie të qartë për edukimin dhe ndërgjegjësimin shoqëror mbi trashëgiminë e diktaturës.
Për sa i përket zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist, në vitin 2024 janë identifikuar 6 vendvarrime të reja, duke e çuar në 11 numrin total të zbuluar për periudhën 2022–2024. Janë trajtuar gjithashtu 280 kërkesa nga familjarët, duke grumbulluar dëshmi të reja që ndihmojnë në ndriçimin e një prej plagëve më të rënda të së kaluarës.
Megjithë arritjet, AIDSSH ka evidentuar edhe sfida në bashkëpunimin institucional, duke theksuar mungesën e angazhimit të disa institucioneve si Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe bashkitë. Vetëm 26% e njësive vendore kanë zbatuar detyrimin ligjor për verifikimin e figurave përpara dhënies së titujve nderi apo emërtimeve publike – një fakt që ngre shqetësime për seriozitetin në përballjen me të shkuarën.
Raporti konfirmon përkushtimin e AIDSSH për të vijuar punën me transparencë dhe integritet, duke e mbajtur të gjallë kujtesën historike dhe duke i dhënë zë viktimave të diktaturës.



