Branislav Kërstiq ka thënë se rreshteri policor Afrim Bunjaku “nuk është vrarë” në sulmin terrorist të grupit me në krye të kërkuarin nga Interpoli Milan Radoiçiq, në Banjska më 24 shtator 2023.
Gazetari serb ka thënë në një emision të Klan Kosova, se Afrim Bunjaku “nuk është vrarë, por është në një mënyrë dëm kolateral”.Deklarimet e tij kanë zgjuar reagime të shumta në Kosovë.
Avni Islami, ekspert i sigurisë, thotë se vrasja e heroit Afrim Bunjaku nuk ishte aksident, por një akt i qëllimshëm i terrorit shtetëror të orkestruar nga Serbia.“Ta quash ‘viktimë kolaterale’ është përpjekje për ta fshehur të vërtetën: një sulm i organizuar për të goditur sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës. Të relativizosh këtë krim është të marrësh pjesë në propagandën që synon ta zhvesh Kosovën nga e drejta për t’u mbrojtur dhe për të ruajtur rendin kushtetues”, ka shkruar Islami.Agim Musliu nga Instituti Octopus, thotë se ndryshe nga ajo që Branislav Krstiq pretendon, oficeri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku u vra me dashje nga një grup paraushtarak i mbështetur nga Serbia.
“Qëllimi ishte përhapja e kaosit, dobësimi i policisë së Kosovës dhe avancimi i objektivave politike për Serbinë dhe Listës Serbe”, ka shkruar Musliu në rrjetin X.
Sulmi në Banjska ndodhi pas disa muajsh tensione të larta midis Kosovës dhe Serbisë.
Më 24 shtator, grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të komunës së Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
“Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare e logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”, pati deklaruar kryeministri Albin Kurti, në adresimin para mediave asokohe duke akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit.
Gjatë disa muaj hetimesh e bastisjesh janë gjetur dhe konfiskuar sasi të mëdha armatimi nga granatahedhësit deri tek eksplozivët me të cilët ishte pajisur grupi terrorist.
Milan Radoiçiq pranoi përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur në Banjskë, por ai vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi edhe pse ndodhet në listën e të kërkuarve nga Interpoli.
Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër Radoiçiq dhe 44 personave të tjerë për sulmin terrorist në Banjskë. Sipas aktakuzës, grupi i Banjskës, tentuan të shkëpusin veriun e Kosovës dhe t’ia bashkojnë Serbisë.
“Gjatë hetimit është vërtetuar se fuqizimi i të pandehurit Milan është bërë në forma të ndryshme me përkrahjen e drejtpërdrejtë të Republikës së Serbisë, ku kjo e fundit fillimisht i ka ofruar fuqizim ekonomik përmes dhënies së tenderëve në Serbi me qëllim të grumbullimit të fondeve në vlera të konsiderueshme, gjegjësisht përkrahje me miliona euro, pastaj i është ofruar përkrahje politike në takimet e nivelit të lartë të strukturave të sigurisë dhe strukturave politike të shtetit Serb. Më pastaj, Serbia i ka ofruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve, ofrimin e pajisjeve ushtarake dhe logjistike, krejt këto të nevojshme për të kryer sulmin terrorist të datës 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzë.
/Kosova Press