Polifonia shqiptare ishte në qendër të një aktiviteti, që u zhvillua këto ditë. Rreziku i polifonisë shqiptare është që nuk ka të ardhme, kështu shprehet mjeshtri i polifonisë Yzeir Llanaj, i cili herë pas here ka folur për problemet me të cilat përballen vlerat e trashëgimisë kulturore jomateriale shpirtërore. Në intervistën për gazetën “SOT” këngëtari i polifonisë Yzeir Llanaj thotë se në aktivitetin që u zhvillua disa ditë më parë në vëmendje ishte ruajtja e polifonisë shqiptare.
Sipas tij, prej vitesh shteti nuk ka treguar vëmendjen e duhur për këtë vlerë të trashëgimisë sonë dhe nuk po ndalet në problematikat e saj. Ai thotë se për ta pasur nën kujdes këtë duhet të ketë struktura, por që sipas tij janë formale dhe nuk i shërbejnë popullit. Mjeshtri i polifonisë thotë se kjo vlerë e trashëgimisë po mbahet gjallë nga bartësit e saj. Këngëtari i polifonisë Yzeir Llanaj “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i Madh” është edhe president i shoqatës “Polifonia shqiptare” me të cilën zhvillon dhe festivalin ndërkombëtar “Bylispolifonia”. Ai tregon se në muajin shtator do të jetë edicioni i radhës i këtij festivali në Bylis, por vështirësitë për zhvillimin e tij janë të pranishme.
Polifonia shqiptare ishte në qendër të një aktiviteti, që u zhvillua këto ditë. Rreziku i polifonisë shqiptare është që nuk ka të ardhme, kështu shprehet mjeshtri i polifonisë Yzeir Llanaj, i cili herë pas here ka folur për problemet me të cilat përballen vlerat e trashëgimisë kulturore jomateriale shpirtërore. Në intervistën për gazetën “SOT” këngëtari i polifonisë Yzeir Llanaj thotë se në aktivitetin që u zhvillua disa ditë më parë në vëmendje ishte ruajtja e polifonisë shqiptare.
Sipas tij, prej vitesh shteti nuk ka treguar vëmendjen e duhur për këtë vlerë të trashëgimisë sonë dhe nuk po ndalet në problematikat e saj. Ai thotë se për ta pasur nën kujdes këtë duhet të ketë struktura, por që sipas tij janë formale dhe nuk i shërbejnë popullit. Mjeshtri i polifonisë thotë se kjo vlerë e trashëgimisë po mbahet gjallë nga bartësit e saj. Këngëtari i polifonisë Yzeir Llanaj “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i Madh” është edhe president i shoqatës “Polifonia shqiptare” me të cilën zhvillon dhe festivalin ndërkombëtar “Bylispolifonia”. Ai tregon se në muajin shtator do të jetë edicioni i radhës i këtij festivali në Bylis, por vështirësitë për zhvillimin e tij janë të pranishme.
-Studiues, këngëtarë të polifonisë dhe artistë të tjerë u bënë bashkë në aktivitetin, që solli në vëmendje vlerat e polifonisë shqiptare. Shoqata “Polifonia shqiptare” me rastin e 30-vjetorit të krijimit të saj organizoi një aktivitet kulturor, ku nuk mungoi dhe apeli për ruajtjen e polifonisë. Çfarë mund të na thoni më shumë?
Shoqata “Polifonia shqiptare” u themelua vite më parë nga Kadri Roshi, Birçe Hasko, Yzeir Llanaj, Lazër Filipi, Luftar Paja, Bajram Lapi, etj. Ne ndër vite kemi zhvilluar aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Midis këtyre aktiviteteve që bënim në Bylis, ku festivali ka qenë trashëgimi dhe realitet janë bërë dhe disa botime. Kjo trashëgimi shpirtërore që ne ndihemi krenarë me emrin e saj dhe me të mirat e saj, kjo polifoni e ka prejardhjen nga shpirti i popullit dhe meqë ka dalë nga shpirti i këtij populli ne duam që ta mbajmë të pastër polifoninë ashtu si na e kanë dhuruar neve etërit tanë.
– Polifonia shqiptare, e cila është vlerësuar si kryevepër e pasurisë së njerëzimit dhe që mbrohet nga UNESCO për studiues e bartës të saj është e rrezikuar. Çfarë po ndodh?
Shoqata “Polifonia shqiptare” vite më parë u krijua se e pa të nevojshme, që në momentet e tranzicionit polifonia ngeli jetime në mes të rrugëve. Polifonia ngeli për arsye se u prishën vatrat e kulturës, etj, dhe të gjithë bartësit kërkonin jetën më të mirë dhe ikën disa në rrethe, diku jashtë shtetit, etj, dhe kjo e pa të nevojshme që të themelohej në Tiranë në vitin 1995 shoqata “Polifonia shqiptare”. Për të plotësuar dëshirat dhe shpirtin e popullit që ishin larguar u bashkuan në Tiranë bartësit dhe krijuan një grup polifonik, pas këtij grupi mori rrugë shoqata “Polifonia shqiptare” që u themelua në Teatrin Kombëtar nga kolosët e kulturës shqiptare, duke qenë vetë ata këngëtarë të kësaj vlere tradicionale dhe vazhdon këtu e 30 vjet, ku në këtë shtet nuk vjen aromë fare por vjen vetëm erë e poshtër që nuk frymëzohemi dot. Më vjen keq që po humbet shpirti i këtij populli, kultura e këtij kombi që identifikohemi me këtë. Po vjen një kohë që po ikin brezat. Nuk po del e ardhmja që ta transmetojë dhe t’i bazohet kësaj vlere se po kontribuojnë ata të moshuar, që kanë 60 vjet në skenë dhe i thonë akoma djemtë e Vlorës si grup, por ata janë nga 70 vjeç dhe po prekin dhe moshën 80 vjeç, kështu që është alarmante problemi, për disa që po i ndryshojnë dhe emrin, për disa që nuk na pyesin, që nuk po na trajtojnë.
-Ju jeni mjeshtër i polifonisë shqiptare. Keni mbi 50 vjet në skenë më polifoninë, por shprehni dhe probleme. Sipas jush, si mund të dilet nga kjo gjendje?
Për ta pasur nën kujdes këtë duhet të ketë struktura që mungojnë ose janë, por janë formale dhe nuk i shërbejnë popullit. Jo kjo qeveri, por të gjitha qeveritë pas vitit 1990 janë kundra shpirtit këtij populli, shohin vetëm për pushtetin e tyre. Unë iu kam çuar ftesa nëpër zyra dhe asnjë prej tyre nuk ka ardhur te aktiviteti që bëmë, asnjë deputet, as nga ministria për Kulturën. Institucionet nuk ekzistojnë për këto që ne flasim.
-Sa po bëhet për promovimin e folklorit tonë?
Për promovimin e folklorit shqiptar nuk bëhet asgjë. Por shohin vetëm ku kanë planet e tyre. Ku kanë projektet e tyre dhe mbushin xhepat. Bëjnë projekte aty ku duan dhe t’i përdorin ata. Te ne nuk vijnë të dëgjojnë as çfarë thonë studiuesit. Polifonia shqiptare ose kënga shumëzërëshe shqiptare. Komunitetet e polifonisë, të gjitha shoqatat mbarëkombëtare që përbëjnë komunitetin janë dakord që të shkruhet dhe kënga shumëzërëshe shqiptare, vetëm isopolifoni nuk pranon. Jemi në gjyq për të heq këtë term, që nuk i përshtatet komunitetit të polifonisë. Shteti nuk bën asgjë në shërbim të bartësve të polifonisë dhe të vlerave tradicionale. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duhet që t’i mbështesë shoqatat që përbëjnë komunitetin e polifonisë me projekt. Edhe në konferencën që u zhvillua për 30- vjetorin e shoqatës “Polifonia shqiptare” u pohua nga studiues që është antikombëtare të quhet isopolifoni, kështu u shprehën Aleksandër Peçi, Zhani Ciko, Bajram Lapi. Ne nuk po gjejmë zgjidhje dhe jemi në një proces gjyqësor për këtë. Kemi hedhur në gjyq Ministrinë e Kulturës dhe Vaso Tolen, që kanë ndryshuar emrin kur ishte drejtor i trashëgimisë kulturore.
-Nëse nga institucionet shtetërore që sipas jush ka mungesë vëmendje, sa e rrezikuar është sot polifonia?
Rreziku i polifonisë sot është që nuk ka të ardhme. Nuk vë dorë shteti, nuk ndihmon. Shteti duhet ta kultivojë nëpër shkollë, të ketë programe edhe për polifoninë. E kanë në Akademinë e Arteve dhe për popullin asgjë. Sot sa e dëgjojnë ikin se duan tallava, etj. Polifonia është bastarduar ndër vite nga turbo-folku dhe tallavaja. Ka arritur puna që këngë që janë të tabanit kombëtar iu futet një fizarmonikë, klarinetë. Këndohet “Vajza e valëve” me muzikë, këndohet “Rrapo Hekali” me muzikë, etj. Kështu që, kjo është bastarduar tërësisht.
-Edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar të polifonisë “Bylispolifonia” u zhvillua në vitin 2006 në vendin tonë. Një festival që zhvillohet çdo dy vjet, çfarë mund të na thoni më shumë rreth edicionit të radhës?
Në muajin shtator këtë vit ne do të zhvillojmë festivalin e 12-të “Bylispolifonia”. Në Bylis do të bëhet, por nëse na lë shteti. Nëse ne nuk kemi donatorë është e vështirë.
Intervistoi: Julia Vrapi
“Bylispolifonia”
Festivali “Bylispolifonia” në çdo edicionin të tij ka mbledhur grupe të ndryshme që kanë shpalosur vlerat e trashëgimisë. Përmes festivalit përcillen dhe mesazhe për kujdesin dhe vëmendjen, që duhet treguar për polifoninë. Edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar të polifonisë “Bylispolifonia” u zhvillua në vitin 2006 në vendin tonë. Festivali ndërkombëtar i polifonisë “Bylispolifonia” në vitin 2023 solli në skenë mbi 35 grupe në konkurrim. Festivali shënoi edicionin e 11-të në datat 22-23 shtator. Në dy ditë në Bylis u shpalosën gjetjet më të bukura të polifonisë nga grupet polifonike më në zë të vendit, por dhe nga shtete të tjera. Në festival veç artistëve ishin të ftuar dhe historianë, muzikologë, etnomuzikologë, etj, ku nuk mungoi edhe tryeza e diskutimit mbi polifoninë shqiptare. Në këtë edicion morën pjesë grupet polifonike nga Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Kosova, etj. Nga vendi ynë ishin grupe polifonike nga Rrajca, Myzeqeja, Skrapari, Saranda, Gramshi, Vlora, etj.