Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të dëshironte të shkaktonte trazira në veri të Kosovës, por nuk ka më as mbështetjen dhe as legjitimitetin për ta bërë këtë. Kështu deklaroi eurodeputeti kroat dhe raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, në një intervistë për gazetën kroate Jutarnji list.
Sipas Piculës, pas ngjarjeve të rënda në Banjskë në vitin 2023 – ku u vra një polic i Kosovës gjatë një inkursioni të grupeve paraushtarake serbe – Vuçiq e ka humbur çdo mbështetje ndërkombëtare për aksione të ngjashme. “Ai i ka djegur të gjitha kreditë e tij,” u shpreh Picula.
Eurodeputeti theksoi se strategjia e tanishme e presidentit serb është përqendruar te tensionet politike të brendshme dhe provokimet ndaj Kroacisë, duke shmangur përdorimin e drejtpërdrejtë të forcës në Kosovë. Çdo përpjekje për destabilizim tani, sipas tij, do të kishte pasoja të rënda për Vuçiqin.
Picula ishte i qartë edhe për perspektivën evropiane të Serbisë: “Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së pa njohur pavarësinë e Kosovës dhe pa hequr dorë nga politika e ‘botës serbe’.” Ai shtoi se qeveria serbe po përdor BE-në “si bankomat”, ndërsa e paraqet Perëndimin në mënyrë negative përmes mediave të kontrolluara.
“Nëse nesër organizohet një referendum për anëtarësimin në BE, nuk mund të pritet ndonjë rezultat spektakolar,” u shpreh eurodeputeti, duke theksuar ndikimin e fortë të propagandës pro-ruse dhe pro-kineze në opinionin publik serb.
Sipas tij, përdorimi i forcës në të ardhmen nga ana e Vuçiqit do të çonte në një rishikim të qëndrimit të institucioneve evropiane ndaj tij. “Ai dërgon banditë, provokatorë dhe njerëz të lidhur me partinë për të zbehur frymën e protestës, por nuk ia del,” shtoi Picula.
Në fillim të muajit maj, Parlamenti Evropian do të votojë raportin për Serbinë, ku do të listohen të gjitha çështjet e hapura që po e pengojnë përparimin e saj drejt BE-së, përfshirë edhe mosnjohjen e Kosovës dhe problemet me sundimin e ligjit.


![2ee071468abc45079d84ff9c118408d9[normal]](https://diasporashqiptare.al/wp-content/uploads/2025/04/2ee071468abc45079d84ff9c118408d9normal.png)
