Në një atmosferë solemne dhe të mbushur me emocione, trupi i Papa Françeskut, i cili u nda nga jeta të hënën pas një goditjeje në tru dhe arresti kardiak, u përcoll në Bazilikën e Shën Pjetrit përmes një procesioni madhështor që nisi nga rezidenca e tij, Santa Marta.
Arkivoli prej druri u mbajt nga 14 persona me doreza të bardha dhe kostume të zeza, ndërsa kardinalë me kapelet e kuqe, arqipeshkv dhe priftërinj me qirinj në duar, ecën me solemnitet drejt sheshit të madh përballë Bazilikës, të shoqëruar nga psalme dhe kambanat që kumbonin pa pushim. Roja zvicerane me uniformat tradicionale dhe helmetat e tyre shtonte solemnitetin e momentit.
Mijëra besimtarë, të mbledhur në Sheshin Shën Pjetër, shprehën dhimbjen dhe mirënjohjen duke duartrokitur dhe thirrur “shenjt menjëherë” në momentin kur arkivoli kaloi përmes dyerve të mëdha të bronzta të bazilikës. Procesioni u drejtua nga Camerlengo, Kardinali Kevin Farell, i cili do të marrë përkohësisht drejtimin e Vatikanit deri në zgjedhjen e Papës së ri.
Pas vendosjes së arkivolit në brendësi të Bazilikës, u zhvillua një meshë në nder të Papës. Dyert u hapën për publikun nga ora 11:00, për të lejuar homazhet deri në orën 19:00 të së premtes. Riti i mbylljes së arkivolit do të mbahet në orën 20:00, ndërsa ceremonia shtetërore e varrimit është caktuar për të shtunën në orën 10:00.
Rreth 250 mijë njerëz priten të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit, përfshirë mbi 100 delegacione dhe liderë botërorë, mes tyre edhe presidenti amerikan Donald Trump. Prania e figurave të rëndësishme të botës katolike, përfshirë patriarkë, kardinalë dhe arqipeshkvë nga e gjithë bota, tregon ndikimin e gjerë të Papa Françeskut si një figurë e dashur dhe përçues i reformave të thella në Kishë.
Mesha do të drejtohet nga kreu i Kolegjit të Kardinalëve, Giovanni Battista Re. Ndërkohë, konklava për zgjedhjen e Papës së ri pritet të nisë pas datës 6 maj. Mes emrave të përfolur janë kardinali filipinez Luis Antonio Tagle dhe sekretari i shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, të cilët ishin ulur pranë njëri-tjetrit gjatë ceremonisë mortore.
Papa Françesku do të mbahet mend si një papë i thjeshtësisë, përkushtimit dhe reformës – një udhëheqës që preku zemrat e miliona besimtarëve në të gjithë globin.



