Në Gjykatën Themelore të Prishtinës u zhvillua seanca e parë gjyqësore për rastin e sulmit të armatosur në Banjskë, ku prokuroria kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviç dhe Dushan Maksimoviç. Të akuzuarit, të cilët u arrestuan menjëherë pas ngjarjes së rëndë të 24 shtatorit 2023, u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale.
Prokurori i çështjes, Naim Abazi, prezantoi video dhe fotografi nga vendi i ngjarjes, të cilat sipas tij, vërtetojnë organizimin e mirëfilltë të grupit dhe qëllimin e tyre për të ndërmarrë veprime terroriste. “Videot flasin qartë për mënyrën sesi grupi ishte përkujdesur në detaje për vendosjen dhe hyrjen në zonë,” deklaroi Abazi.
Sipas aktakuzës, grupi i armatosur kishte për qëllim shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, për t’ia bashkuar Republikës së Serbisë, duke përdorur dhunë dhe armatim të rëndë. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe, i cili bashkë me 42 të tjerë dyshohet se ndodhet i lirë në Serbi. Prokuroria ka kërkuar gjykim në mungesë për ta.
Avokati i familjes së rreshterit të vrarë, Afrim Bunjaku, kërkoi që të gjithë anëtarët e grupit të dënohen me burgim të përjetshëm. Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar sulmin si akt terrorist, duke akuzuar drejtpërdrejt Serbinë për mbështetjen e tij. Ndërkohë, Beogradi ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se incidenti nuk përbën akt terrorist, por është subjekt i një hetimi.
Sulmi në Banjskë është dënuar ashpër nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka kërkuar hetim të plotë dhe vendosjen e drejtësisë për autorët e krimit.

Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.