Në vitin 1999, një fotografi tronditëse, e shkrepur në prag të hyrjes në Maqedoni, bëri xhiron e botës. Ajo paraqiste një nënë shqiptare nga Kosova me foshnjën në duar, në udhëtimin dramatik të kolonave të refugjatëve drejt kampit të Bllacës, në kulmin e Luftës së Kosovës. Fotografia, e realizuar nga një korrespondente e gazetës prestigjioze Time, në fshatin Ivajë të Kaçanikut më 3 prill 1999, u shndërrua në simbol të eksodit, dhimbjes dhe sakrificës njerëzore.
Nëna në atë foto ishte Sherife Luta, vetëm 22 vjeçe në atë kohë dhe shtatzënë në javët e fundit të pritjes. Vajza e saj, Besa, u përjetësua në fotografi në një nga momentet më të errëta të historisë moderne shqiptare. Në gjirin e nënës së saj, e rraskapitur nga udhëtimi i gjatë, Besa dukej sikur kishte ndërruar jetë – një keqkuptim që e thelloi akoma më shumë emocionin e shkaktuar nga kjo pamje në publikun ndërkombëtar.
“Momentin e shkrepjes së fotografisë e mbaj mend si të ishte sot,” rrëfen Sherife për Deutsche Welle. “Isha shumë e lodhur, më kërkuan të jepja intervistë, por nuk kisha forcë.” Ajo kujton me dhimbje ditët e tmerrit, kur burrat ishin në luftë dhe gratë, fëmijët e të moshuarit detyroheshin të largoheshin mes zjarrit e frikës.
Sot, shumë vite më pas, fotografia që dikur simbolizonte dhimbjen dhe pasigurinë, merr një tjetër kuptim. Besa Luta, foshnja e atëhershme, dhe qe jeton në një Kosovë të lirë e të pavarur.

“Nuk e kam përjetuar vetë luftën, por e njoh nga rrëfimet e mamasë,” thotë Besa. “Kosova ka ende shumë sfida, por e rëndësishmja është se sot jemi të pavarur. Kam shpresë se me kalimin e kohës do të ndërtojmë një vend më të mirë.”
Rruga e nënës dhe vajzës Luta – nga një kamp refugjatësh në Bllacë te auditorët universitarë në një shtet të lirë – është dëshmi e qëndresës, sakrificës dhe shpresës. Ajo fotografi që dikur e preku botën, sot kujton të kaluarën për të frymëzuar të ardhmen.




