Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë – Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, bëri homazhe në memorialin “Heroinat” në Prishtinë, në një ceremoni pa praninë e mediave. Ajo u shoqërua nga dy prej grave të mbijetuara të luftës, Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani, të cilat janë bërë zë i fuqishëm i të vërtetës përballë botës.
Presidentja Osmani theksoi se, edhe pse drejtësia për të mbijetuarit ende mungon, përpjekjet për ta arritur atë nuk do të ndalen kurrë.
“Ngremë zërin tonë kundër dhunës, kundër një prej mjeteve më të llahtarshme që regjimi gjenocidal serb ka përdorur kundër popullit të Kosovës – dhunës seksuale gjatë luftës. Drejtësia ka munguar përgjatë gati 26 viteve, por kjo nuk do të thotë se përpjekjet tona do të ndalen. Do të vazhdojmë të bashkojmë forcat me Vasfijen dhe Shyretën si të deleguara të posaçme të presidencës për këtë çështje, që zëri i tyre të dëgjohet në çdo cep të botës”, u shpreh Osmani.
Vasfije Krasniqi Goodman, e para grua që doli publikisht për të dëshmuar dhunën që kishte përjetuar nga forcat serbe, tha se kjo ditë i kujton momentet më të vështira të jetës, por edhe forcën që fitoi kur thyeu heshtjen.
“Mos ia falni Serbisë krimet që ka bërë,” ishte thirrja e saj për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale.
Shyrete Tahiri gjithashtu kërkoi që viktimat të kenë guximin për të folur dhe për të kërkuar drejtësi, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme institucionale dhe shoqërore.
Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bëri homazhe në memorialin “Heroinat” pa praninë e mediave, duke shmangur vëmendjen nga debatet politike të ditës.
Një moment kyç në këtë përvjetor ishte dalja publike e Ramadan Nishorit, burri i parë që ka thyer heshtjen si i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës. Dëshmia e tij shënon një hap të rëndësishëm drejt pranimit dhe mbështetjes së viktimave mashkull në shoqëri, që shpesh përballen me paragjykime dhe heshtje të dyfishtë.
Ngjarjet e 14 Prillit janë një kujtesë e dhimbjes, por edhe e guximit dhe vendosmërisë për të kërkuar drejtësi, dinjitet dhe të vërtetën. Ndërsa përpjekjet për drejtësi tranzicionale vazhdojnë, institucionet e Kosovës kanë ripërsëritur angazhimin e tyre për të mbështetur të gjithë të mbijetuarit e këtij krimi lufte që nuk harrohet e as nuk falet.



