Rusia po vazhdon të përhapë narrativat dezinformuese kundër Kosovës, duke e portretizuar atë si një shtet jofunksional dhe mafioz, ndërsa njëkohësisht synon të mbështesë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në përballjen me protestat masive studentore në Serbi.
Këto konstatime u diskutuan gjatë konferencës “Balkan Disinfo 2025”, ku ekspertë të sigurisë dhe medias analizuan ndikimin e fushatës ruse të dezinformimit në rajonin e Ballkanit. Sipas tyre, një nga strategjitë kryesore të Moskës është kontestimi i shtetësisë së Kosovës përmes narrativave që synojnë të minojnë legjitimitetin e saj ndërkombëtar.
“Rusia e paraqet Kosovën si një faktor destabilizues në Ballkan, duke e etiketuar atë si një ‘shtet jolegjitim’ dhe ‘kancer i Ballkanit Perëndimor’. Gjithashtu, krijon analogji të rreme mes agresionit të saj në Ukrainë dhe ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë për të justifikuar veprimet e veta,” tha analisti Festim Rizanaj.
Një tjetër aspekt i strategjisë së dezinformimit rus është viktimizimi i pakicës serbe në Kosovë, duke përhapur pretendime të pabaza për kërcënime serioze ndaj sigurisë dhe pronës së tyre. Sipas Rizanajt, krahasimet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy si “nazistë”, si dhe paraqitja e serbëve të Kosovës si të përndjekur në mënyrë të ngjashme me rusët në Donbas, janë pjesë e kësaj narrative të qëllimshme.
Nga ana tjetër, Moska po përpiqet të forcojë pozitat e Vuçiçit, i cili përballet me protesta të fuqishme studentore pas incidentit në Novi Sad. Mediat ruse që operojnë në Serbi e kanë përshkruar atë si garantues të stabilitetit, ndërsa kanë etiketuar protestuesit si nxitës të dhunës dhe kaosit.
“Bashkimi Europian dhe SHBA kanë treguar një qasje të dyfishtë: reagojnë ndaj ndikimit rus në Gjeorgji dhe Moldavi, por mbyllin sytë përballë autoritarizmit të Vuçiçit dhe represionit ndaj protestuesve,” deklaroi gazetari Boris Varga gjatë konferencës.
Diskutimet në “Balkan Disinfo 2025” prekën gjithashtu dezinformimin transatlantik, ndikimin e dezinformimit rus në BE dhe shtetet baltike, si dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në përhapjen e informacionit të manipuluar.



