Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë thirrje për dialog me studentët, të cilët prej më shumë se dy muajsh kanë bllokuar rrugë dhe kanë organizuar protesta në mbarë vendin. Demonstratat u intensifikuan pas shembjes tragjike të tendës së një hekurudhe në Novi Sad më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 15 persona dhe disa të tjerë u plagosën.
Sot, në kulmin e protestave të quajtura “Greva e Përgjithshme,” mijëra studentë dhe qytetarë u mblodhën në Nish, Suboticë, Novi Pazar dhe para ndërtesës së Radio Televizionit të Serbisë, duke shprehur zemërimin e tyre ndaj qeverisë. Shumë biznese të vogla, restorante dhe klube nate i janë bashkuar grevës në mbështetje të studentëve, duke mbyllur aktivitetet e tyre për ditën.
Në të njëjtën kohë, Vuçiq zgjodhi qytetin e Jagodinës për të mbajtur një tubim në mbrëmje, ku prezantoi formimin e Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin. Gjatë fjalimit, ai theksoi nevojën për “ndryshime dhe energji të reja,” duke lënë të kuptohet se kjo iniciativë politike synon të forcojë pozitat e tij. “Serbia nuk ka nevojë për kthim në të kaluarën,” deklaroi ai, ndërsa përsëriti refuzimin për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë apo vendeve të tjera mike, duke theksuar se kjo mbetet një vijë e kuqe për qeverisjen e tij.
Vuçiq iu drejtua studentëve me një thirrje për të diskutuar kërkesat e tyre: “Ju lutem, ejani dhe na tregoni cilën nga katër kërkesat nuk e kemi përmbushur. Serbia e di si po sulmohet sot, si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda,” tha presidenti, duke lidhur situatën e brendshme me tensionet në Kosovë, ku, sipas tij, “po ushtrohet presion ndaj serbëve.”
Protestat në Novi Sad dhe Nish, të cilat zgjatën deri në orët e mbrëmjes, përfshinë tubime spontane dhe marshime masive. Para RTS-së, media kombëtare e afërt me regjimin e Vuçiqit, studentët shprehën indinjatën ndaj mbulimit të kufizuar të ngjarjeve dhe kërkuan transparencë mediatike. Pas përfundimit të protestave, shumica e studentëve u kthyen në fakultetet e tyre.
Kujtojmë, shumë pronarë biznesesh të vogla, restorante, librari dhe klube nate iu përgjigjën grevës së përgjithshme. Mesazhi i tyre i përbashkët është – mbështetje për studentët.
Këto zhvillime shënojnë një moment të rëndësishëm tensioni në Serbi, ku përplasja midis një rinie të zemëruar dhe një lidershipi që kërkon të ruajë stabilitetin politik po intensifikohet.



