Studiues, hulumtues, përkthyes, ndër njohësit më të mirë të shqipes Petro Zheji pas largimit e tij nga jeta më 14 mars 2015 la lënë shumë kryevepra por është “Shqipja dhe sanskritishtja” kryevepra e tij dhe pasuria më e madhe që i ka lënë brezave të rinj.
“Misioni i tij kishte zënë rrënjë që në barkun e nënës, – si thotë vetë Petro” shkruan Përparim Kabo për mjeshtrin. “Do të argumentonte se, cila është gjuha shqipe? Sa e vjetër? Ku i ka rrënjët? Sa paradoksale është ajo në shprehitë e saja idiomatike? Dhe për pasojë, sa moderne dhe e pashtershme është shqipja? Ca e shihnin me habi, ca me mëshirë, ca e quanin misionhumbur dhe ca pseudo e quanin “të marrë”, që merrej me një punë të kotë, sepse sipas tyre, këto gjëra për shqipen i kishin thënë të tjerë dhe se çështja e shqipes ishte e zgjidhur. Ajo ishte një gjuhë indoeuropiane, dihej se në cilin grup identifikohej dhe se sa e vjetër ishte, dhe sa e si ngjasonte dhe ku dallonte nga gjuhët e tjera”.
Jeta dhe vepra
I lindur në Tiranë më 1929, Petro Zheji që në moshë fare të re, u shqua për një talent të rrallë në njohjen dhe zotërimin e gjuhëve të huaja. Studiuesi që me veprat e tij, gërmoi në rrënjët e gjuhës shqipe, për të vërtetuar teorinë se krahas gjuhëve të vjetra e të reja, shqipja kryeson që në lashtësi, ka qenë prezent për publikun me dy veprat e tij : “Libri i aforizmave”, “Shqipja dhe Sanskritishtja” me dy vëllime.
Petro Zheji, krahas studimeve gjuhësore, do të kujtohet si mjeshtri i përkthimit, pasi përmes penës së tij shumë vepra botërore folën shqip: Ndër të tjerash “Ringjallja” e Leon Tolstoit, vëllimi i dytë i kryeveprës “Don Kishoti” të Servantes, “Vilet e zemërimit” – John Steinbeck; “Zoti President” – Migel Asturias; “Galileo Galilei” – Bertold Breht.
Kryevepra e Petro Zhejit
Sanskritishtja njihet si një nga gjuhët më të vjetra të botës, gjuhë ideoevropiane e degës indiane që u zhvillua duke nisur nga shekulli V para Krishtit, dhe ishte një nga gurët themeltarë të qytetërimit brahamanik dhe e kulturës së Vedave. Shumë tekste indiane për shkencat dhe matematikën janë shkruar në këtë gjuhë. E pikërisht me këtë gjuhë Zheji vërteton afinitetin e shqipes dhe në metodën që ai përdor për të analizuar, bashkëveprojnë etimologjia, filozofia dhe logjika. Në pjesën e parë të “Shqipja dhe sanskritishtja”, Zheji qysh në krye e quan të gabuar konkludimin e albanologëve si Gustav Mejer mbi prejardhjen e shqipes nga gjuhë relativisht të reja si latinishtja, greqishtja, turqishtja, sllavishtja. Përfundimi në të cilin Zheji arrin me këtë të studim është ky: Sistemi leksikor i gjuhës shqipe është më i gjerë nga ai i gjuhës sanskritishte, e pra ai e përfshin atë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.



