“Lidhja e gjuhës shqipe me shkollën është e shumanshme: me gjuhën lidhen të gjitha kategoritë e shkollave, që nga sistemi parashkollor deri tek universitetet.” (“Çështje të shqipes standarde” M.Çeliku, f.233)
Është e vërtetë, gjuha shqipe është e lidhur drejtpërdrejt me shkollën se aty përgatiten shkrimtarët, aktorët, artistët, folësit e radio-televizioneve, politikanët, mjekët, mësuesit etj. Fillimisht këta në shkollë aftësohen të flasin, të lexojnë dhe të shkruajnë sipas normave të gjuhës standarde, prandaj për çdo mangësi fajësohet shkolla.
Por a është me të vërtetë i gjithë faji i shkollës?
Ky debat e zhvillohet shpeshherë mes kolegëve mësues, por edhe dashamirëve të gjuhës si në Shqipëri dhe në Kosovë. Debati ka kohë që është hapur. Por a është vetëm faktori shkollë që ndikon në këtë çështje?
Jo!
U lumturova pa masë para disa vitesh kur u vendos ndarja e gjuhës amtare nga letërsia në gjimnaz, porse mendimi im shkon edhe më tej: gjuha amtare duhet të ndahet nga letërsia qysh në arsimin fillor, përkatësisht që nga klasa e dytë.
Përvoja ka treguar se mësuesit si në arsimin e mesëm të ulët dhe në arsimin e mesëm të lartë vuajnë pasojat e boshllëqeve të letrare e gjuhësore. Nxënësit kalojnë në ndërrimin e cikleve shkollore pa njohuri të mjaftueshme letrare, a gjuhësore, kjo pasi lënda nuk i lë hapësirën e duhur për përvetësim njohurish.
Kjo jo për fajin e mësuesve apo punës së tyre në arsimin e mesëm të ulët, por për atë që u quajt shkrirja e gjuhës me letërsinë, shkrirje që për mendimin tim nuk pati asnjë rezultat, por krijoi boshllëqe në të dyja lëndët. Këto probleme u trashëguan në breza të cilët sot janë gazetarë, politikanë, mësues etj.
Tekstet e kahershme kanë qenë cilësor, e të ndarë veç e veç, edhe si lëndë trajtoheshin më vete. E në saje të atyre teksteve janë formësuar shumica e intelektualëve.
Por ç’rezultate dha integrimi i gjuhës me letërsinë?
Asnjë rezultat për mendimin tim, pasi tekstet ishin (dhe janë) të mbushura më së shumti me informacion të ngjeshur teorik dhe shumë pak praktik. E mësuesit në të shumtën e rasteve e duhet të jetë i trysnuar, e të mendoj kë të jap e si tua paraqesë nxënësve.
Gjuha e përdorur në tekste është ajo e auditorëve, e papërshtatshme me moshën e arsimit fillor dhe atij të mesëm të ulët. (Rrallë herë ndeshen edhe qëndrime të gjuhëtarëve mbi nocione a çështje të ndryshme gjuhësore.)
Ndaj jam i mendimit që tekstet të jenë unik, të hartohen nga specialist që kanë përvojë në mësimdhënien e këtyre shkollave.
Në programe (kurikula) që nga klasa 6-9 kemi veç përsëritje njohurish. Në njohuritë gjuhësore nuk zënë vend sa duhet format e pashtjelluara, fjalitë e ndërkallura, periudhat, njohuritë fonetike, dialektore etj.
Në njohuritë letrare nuk zënë vendin e duhur autorët e Kosovës, Maqedonisë Veriore, arbëreshve, njohuritë mbi teorinë e letërsisë janë të vakëta.
Mësimi i gjuhës amtare dhe letërsisë në këto kushte nuk dha rezultate për afro dy dekada. Nxënësit dhe mësuesit hasin vështirësi kur dy orë do të marrin njohuri letrare e katër orë gjuhësore, e i duhet të përsëritin. Ndaj sa nuk është vonë le t’i kthehemi traditës sonë e cila ka qenë frytdhënëse.
Nëse vërejmë se gjatë përdorimit të përditshëm në komunikim, nxënësit e përdorin keq gjuhën shqipe, kjo ndodh se mësojnë elemente të shkëputura të saj. Pra gjuha, si shkencë, duhet të mësohet në të gjitha elementet e strukturës së saj, me një vëmendje të veçantë për zbatimin e strukturës dhe karakteristikave të shqipes në komunikim sipas standardeve dhe modeleve të gjuhës letrare kombëtare.
Si përfundim:
Jam i mendimit që programet e gjuhës amtare dhe të letërsisë duhet të jenë të njëjta me të Kosovës.
Gjuha të zhvillohej katër orë në javë ashtu edhe letërsia.
Të zenë vendin e duhur diktimet dhe hartimet.
Të rikthehen provimet me gojë, pasi ndikojnë edhe në ftësimin e të folurit.
Emërtimi i lëndës të jetë gjuhë amtare.
Në tekste të përdoret leksiku sipas grupmoshave, madje të pajisen edhe me fjalorth.
Mësuesit e gjuhës amtare dhe letërsisë të kualifikohen sa më shpesh, të kenë trainime etj.