Westchester County në Nju Jork shënoi Muajin e Trashëgimisë Shqiptare me një ceremoni të posaçme në White Plains, ku flamuri shqiptar u ngrit në Michaelian Office Building në prani të përfaqësuesve të administratës lokale dhe komunitetit shqiptaro-amerikan.
Aktiviteti i përvitshëm u zhvillua në kuadër të nëntorit, muajit që i kushtohet historisë, kulturës dhe kontributit të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.
Kryetari Ekzekutiv i Westchester County, Ken Jenkins, vlerësoi rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan në jetën e qarkut.
“Muaji i Trashëgimisë Shqiptare na jep mundësinë të njohim një komunitet që ka kontribuar kaq shumë në Westchester County. Banorët tanë shqiptaro-amerikanë janë sipërmarrës, pedagogë, punonjës të administratës publike dhe fqinjë që ndihmojnë çdo ditë në forcimin e komuniteteve tona. Ne jemi krenarë të festojmë trashëgiminë e tyre dhe të njohim vendin e rëndësishëm që ata zënë në Westchester”, u shpreh Jenkins.
Në ceremoni mori pjesë edhe zëvendësja e tij, Joan McDonald, e cila vlerësoi lidhjen e komunitetit shqiptar me historinë dhe traditat e tij.
“Westchester është me fat që ka një komunitet të fortë shqiptaro-amerikan, i cili e ruan me krenari historinë dhe traditat e tij. Shqiptaro-amerikanët kanë dhënë kontribute të rëndësishme në qarkun tonë dhe kjo festë është një mënyrë për të njohur arritjet e tyre dhe për t’i falënderuar për gjithçka që bëjnë”, tha McDonald.
Një rol të veçantë në ceremoninë e këtij viti pati edhe kryetari i Bordit të Legjislatorëve të Westchester County, Vedat Gashi, i cili e cilësoi ngritjen e flamurit shqiptar në White Plains si një moment krenarie për komunitetin.
“Të shohësh flamurin shqiptar të ngrihet këtu në White Plains është një moment krenarie për mua dhe për kaq shumë familje në të gjithë Westchester-in. Për shqiptaro-amerikanët, ai flamur përfaqëson kurajën, pavarësinë dhe një besnikëri të thellë ndaj familjes dhe komunitetit. Këto janë vlera që i mbartim me vete çdo ditë dhe që kanë ndihmuar në formësimin e qarkut që të gjithë e quajmë shtëpi”, deklaroi Gashi.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen ndaj kryetarit ekzekutiv Ken Jenkins për kthimin e kësaj ceremonie në një traditë të përvitshme.
Muaji i Trashëgimisë Shqiptare kremtohet çdo nëntor, në përputhje me përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Gjatë këtij muaji, komunitetet shqiptare në Shtetet e Bashkuara organizojnë aktivitete të ndryshme për të promovuar historinë, kulturën dhe kontributin e tyre në shoqërinë amerikane.



