20-vjeçari shqiptar Rogert Ajdini humbi jetën mëngjesin e sotëm në një aksident në punë në zonën e Santa Cristinës, në Valtopina, provinca e Perugias, Itali. Ai jetonte në Trevi me prindërit dhe vëllain.
Aksidenti ndodhi rreth orës 08:30, teksa i riu punonte në një kantier për asfaltimin dhe sistemimin e një rruge. Punimet po kryheshin nga një kompani e kontraktuar nga Bashkia e Valtopinës.
Sipas rindërtimit paraprak të publikuar nga mediat italiane, Ajdini ishte duke drejtuar një rul kompresor, mjet që përdoret për ngjeshjen e asfaltit, kur humbi kontrollin dhe mjeti u përmbys. Dyshohet se 20-vjeçari ra nga mjeti dhe mbeti i shtypur prej tij, duke pësuar dëmtime fatale.
Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe personeli mjekësor i shërbimit 118. Për ndërhyrjen u aktivizua edhe helikopteri i urgjencës Nibbio, por pavarësisht përpjekjeve të ekipeve, i riu nuk mundi të shpëtohej.
Pas aksidentit, në vendngjarje shkuan edhe karabinierët e zonës dhe të komandës së Folignos, si dhe teknikët e shërbimit shëndetësor përgjegjës për sigurinë në punë. Ruli kompresor është sekuestruar, ndërsa autoritetet po hetojnë për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe për të verifikuar respektimin e rregullave të sigurisë në kantier.
Sipas mediave italiane, nëna e të riut u nis drejt vendit të ngjarjes sapo mori lajmin për aksidentin. Vdekja e 20-vjeçarit ka tronditur komunitetin ku ai jetonte. Kryetari i Bashkisë së Valtopinës ka shprehur ngushëllimet për familjen Ajdini.
Ndërkohë, prefekti i Perugias ka njoftuar se më 29 tetor do të zhvillohet një takim me institucionet përgjegjëse për kontrollet në vendet e punës. Takimi synon forcimin e masave të sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve, me vëmendje të veçantë ndaj punonjësve të rinj.
Hetimet për vdekjen e Rogert Ajdinit vijojnë do të zbardhin rrethanat e aksidentit dhe do të përcaktojnë nëse janë respektuar detyrimet për sigurinë në vendin e punës.



