Juria e Çmimit Ndërkombëtar “Shqiponja e Artë” (Premio Internazionale “Aquila d’Oro”) ka shpallur fituesit në kategoritë e poezisë së përkthyer në italisht dhe të pikturës me temë të lirë. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet më 12 dhjetor 2026, në orën 15:00, në auditorin e Parrocchia di Mussetta, në San Donà di Piave, Itali.
Edicioni i pestë i këtij aktiviteti kulturor ndërkombëtar ka mbledhur 128 konkurrentë, të cilët kanë paraqitur gjithsej 165 vepra në pesë kategori: poezi në gjuhën italiane, poezi dialektore, tregim i shkurtër, poezi në gjuhë të huaja dhe pikturë.
Sipas ideatorit dhe organizatorit të çmimit, Klaudio Findiku, pjesëmarrja ka ardhur në rritje nga viti në vit. Një tjetër nismë e këtij edicioni është përgatitja e antologjisë zyrtare, ku do të përfshihet një përzgjedhje e veprave pjesëmarrëse, me synimin për t’u dhënë autorëve më shumë dukshmëri dhe për të promovuar krijimtarinë e tyre.
Fituesit në kategorinë e poezisë së përkthyer në italisht
Në kategorinë D, kushtuar poezisë së përkthyer në italisht, çmimin e parë e fitoi Hassane Yarti nga Spanja, për veprën Cremisi sotto il braccio.
Çmimi i dytë iu dha Satoko Motoyama nga Japonia, për poezinë Mamma, sono tornato!, ndërsa çmimin e tretë e fitoi Migena Arllati nga Kosova, për veprën L’ultima ora dell’illusione.
Juria akordoi dy vlerësime nderi: për Nikollë Lokën nga Shqipëria, për veprën Toccato dalla fiamma, dhe për Houssine Yartin nga Maroku, për poezinë Alla tavola dell’esilio.
Për herë të parë jepet çmimi “Diaspora Shqiptare”
Një risi e këtij edicioni është dhënia për herë të parë e çmimit “Diaspora Shqiptare”, që vjen në kuadër të bashkëpunimit mes Gazetës “Diaspora Shqiptare” dhe organizatorëve të Çmimit Ndërkombëtar “Shqiponja e Artë”.
Ky vlerësim synon të promovojë krijimtarinë letrare shqiptare dhe të sjellë në vëmendje autorët shqiptarë në një aktivitet me pjesëmarrje ndërkombëtare, duke krijuar një hapësirë të veçantë për letërsinë shqipe.
Fituesi i parë i çmimit “Diaspora Shqiptare” është shkrimtari shqiptar Arjan Kallço, i vlerësuar për veprën Sarajevo. Ky vlerësim shënon një hap të ri në bashkëpunimin kulturor të gazetës me nisma që promovojnë autorët shqiptarë dhe krijimtarinë e tyre përtej kufijve.
Fituesit në kategorinë e pikturës
Në kategorinë E, me temë të lirë, çmimin e parë e fitoi Alessandra Congedo, me veprën Sete. Çmimi i dytë iu dha Modesto Furichì për Fiorire nell’disordine, ndërsa çmimin e tretë e fitoi Cesare Pinotti, me veprën Natura viva.
Një çmim të tretë, të ndarë ex aequo, mori edhe Ideal Qehajaj, për veprën Donna con il fiore di lotto.
Vlerësime nderi morën Monia Biasin, për A spasso con il mio amico; Antonella Biuso, për Tutto il profumo della vita; dhe Devis Panizzon, për Ferita d’oro 1.
Çmimi i Jurisë iu akordua Agrippino Martello, për veprën La voce di Franco Battiato.
Një nismë promovuese
Juria e këtij edicioni kryesohet nga Arianna Miorelli dhe përbëhet nga Elena Piva, Maurizio Bacconi, Lucia Lo Bianco, Silvio Di Fabio, Angela Kosta, Cristina Adranga, Francesco Billeci, Stefano Baldinu, Stefani Siani dhe Theo Pezzi. Klaudio Findiku është kryetar i çmimit.
Përmes këtij aktiviteti, organizatorët synojnë të krijojnë një hapësirë takimi për autorë dhe artistë nga vende të ndryshme, duke nxitur shkëmbimin kulturor dhe promovimin e krijimtarisë letrare e artistike.
Gazeta “Diaspora Shqiptare” është partneri mediatik zyrtar i aktivitetit, duke kontribuar në informimin e komunitetit shqiptar në diasporë dhe në promovimin e kësaj nisme kulturore ndërkombëtare.



