Letërsia bashkëkohore shqiptare ishte fokusi i një takimi kulturor me nxënësit e Liceut “Dante Alighieri – Giosuè Carducci” në Trieste, ku e ftuar ishte poetja laureate Rita Petro, një nga emrat e njohur të letërsisë bashkëkohore shqiptare.
Aktiviteti u organizua nga liceu në bashkëpunim me shoqatën kulturore ARBËRIA Trieste, me nismën e Kamelja Shehut, anëtare e shoqatës, dhe në bashkëpunim me drejtoreshën e institucionit arsimor, Carmela Testa. Takimi synoi ti prezantonte nxënësve gjuhën dhe kulturën shqiptare përmes poezisë, duke krijuar një hapësirë komunikimi dhe shkëmbimi ndërkulturor.
Aktiviteti u hap nga profesoresha Federica Daniele, e cila mirëpriti të pranishmit dhe prezantoi takimin. Biseda vijoi nën moderimin e Endra Becollit, anëtare e shoqatës ARBËRIA Trieste, ndërsa përkthimi u mundësua nga Kledi Kalaja.
Një nga momentet më interesante të aktivitetit ishte përfshirja aktive e të rinjve, të cilët lexuan poezi dhe patën mundësinë të njiheshin më nga afër me krijimtarinë e Rita Petros. Përmes vargjeve, ata u njohën me mënyrën se si fjala poetike përcjell emocione, përvoja dhe identitet, duke krijuar ura komunikimi mes gjuhëve dhe kulturave të ndryshme.
Prania e poetes shqiptare u dha nxënësve mundësinë të njihnin më nga afër letërsinë bashkëkohore shqiptare dhe të reflektonin mbi rolin e poezisë në shoqëri, si formë shprehjeje artistike dhe si mënyrë për të rrëfyer përvojat njerëzore.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe gazetari i RAI 3, Antonio Caiazza, i cili ndjek nga afër veprimtaritë kulturore dhe mbështet nismat e shoqatës ARBËRIA Trieste. Dokumentimi fotografik dhe filmik i takimit u realizua nga Hektor Leka.
Në përfundim, shoqata kulturore ARBËRIA Trieste falënderoi drejtuesen e liceut, Carmela Testa, profesoren Federica Daniele, profesorin Gabriele Donato, kryetaren e shoqatës, Adela, si dhe Endra Becollin, Rita Petron, Kledi Kalajën, Kamelja Shehun, Sofiana Filipin dhe të gjithë kontribuuesit në organizimin e aktivitetit. Një falënderim i veçantë iu drejtua nxënësve për pjesëmarrjen dhe interesin e treguar gjatë takimit.
Pas aktivitetit, poetja Rita Petro ndau përshtypjet e saj përmes një reagimi, ku shprehu entuziazmin për përvojën e parë të këtij lloji me nxënës italianë.
“Jam ndier e mrekulluar nga ky takim! Kam qenë në shumë shkolla në Shqipëri, po me nxënës italianë hera e parë”, shkroi Petro, duke vënë në dukje interesin dhe përfshirjen e të rinjve gjatë gjithë aktivitetit.
Sipas saj, për dy orë me radhë, asnjë nga nxënësit nuk u largua nga takimi. Përkundrazi, ata lexuan poezi të saj të përkthyera në italisht dhe morën pjesë në bashkëbisedimin me panelin.
Për ARBËRIA Trieste, promovimi i gjuhës dhe letërsisë shqipe është pjesë e misionit për ruajtjen e rrënjëve kulturore, përcjelljen e tyre te brezat e rinj dhe forcimin e lidhjeve mes komunitetit shqiptar dhe qytetit të Triestes.











