35 vjet pas mbërritjes së parë masive të emigrantëve shqiptarë në Greqi, gazetari grek Yannis H. Papadopoulos rikthen historinë e emigracionit shqiptar, kontributin e tij në shoqërinë dhe ekonominë greke, si dhe racizmin e përjashtimin me të cilët u përballën emigrantët në vitet e para. në një shkrim të botuar në gazetë Ta Nea përmes kujtimeve personale, autori vë në dukje kontrastin mes historive të integrimit dhe suksesit të shqiptarëve dhe retorikës së sotme kundër emigracionit.
Titulli origjinal: “Vëllezërit tanë shqiptarë”
Nga Yannis H. Papadopoulos | Ta Nea
Ky vit shënon 35-vjetorin e mbërritjes së parë masive të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Vlerësohet se që atëherë, rreth 1 milion shqiptarë kanë kaluar kufirin. Ardhja e tyre i dha një hov të ri zhvillimit demografik të Greqisë, shkollat u mbushën me nxënës shqiptarë dhe shumë prej tyre shmangën mbylljen. Njëkohësisht, shqiptarët dhanë një kontribut të rëndësishëm ekonomik, duke plotësuar vende pune në bujqësi, ndërtim dhe shërbime shtëpiake, të cilat grekët i kishin braktisur, dhe duke ndihmuar ndjeshëm zhvillimin e ekonomisë greke.
Dhjetëra mijëra prej tyre kanë marrë tashmë shtetësinë greke. Sigurisht, qëndrimet pozitive ndaj shqiptarëve dhe pranisë së tyre në Greqi, të cilat evidentohen sot edhe nga ELIAMEP, nuk kanë qenë të tilla që në fillim. Vetëm ata vetë e dinë se çfarë kanë përjetuar, çfarë racizmi dhe përjashtimi sistematik u është dashur të përballojnë. Por këtë e dimë edhe ne, sepse pikërisht kështu i kemi trajtuar.
Vetëm Arkivi i Historisë Bashkëkohore Sociale e kujtoi këtë përvjetor, duke e shënuar me botime dhe veprimtari.
Ndërkohë, shteti grek transmeton në radio dhe televizion spotin e ri të Fondit për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme, i cili shpall se “ata që hyjnë ilegalisht në vend do të dëbohen ose do të ndalohen” dhe se “siguria e qytetarëve grekë është e panegociueshme”.
Reklamën e dëgjova për herë të parë në një makinë, ku ndodhesha me babanë tim dhe fqinjin tonë shqiptar. Ndjeva turp për ne dhe trishtim që ai u detyrua ta dëgjonte atë reklamë. Për këtë njeri që, në moshën 14-vjeçare, përshkoi malet e Epirit për të hyrë ilegalisht në Greqi — sepse si ndryshe mund të hynte? — dhe për të ndërtuar këtu një jetë, për të krijuar familje e për të rritur fëmijët e tij. Ai mësoi greqisht, punoi si punëtor bujqësie, ndërsa bashkëshortja e tij punoi si pastruese.
Mendova gjithashtu për një mikeshën time, të së njëjtës moshë me mua, e cila kishte ardhur në të njëjtën mënyrë kur ishte vetëm shtatë vjeçe. Ajo shkoi në shkollë, studioi dhe sot jemi kolege në profesionin e avokatisë.
Ky spot është pjesë e Marrëveshjes Ekzekutive të tetë të TAMEY-t, me një kosto prej 2.566.800 eurosh. Mesazhi i tij është se kushdo që hyn ilegalisht në vend do të ndalohet ose do të dëbohet. Sikur një azilkërkues apo një emigrant që përndiqet në vendin e tij të mund të hyjë gjithmonë në mënyrë të ligjshme! Sikur dikush të mund të dëbohet pa miratimin e vendit ku duhet të kthehet!
Drejtuesit e paditur të Ministrisë së Migracionit përdorin një retorikë të së djathtës ekstreme, ndërsa shoqëria po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt së djathtës.
Megjithatë, historia e emigracionit shqiptar është një histori suksesi, ashtu si çdo histori emigracioni: historia e suksesit të vetë njerëzve dhe e vullnetit të tyre për të mbijetuar. Ata meritojnë vetëm admirim.



