Më 18 tetor 2026, në Parma të Italisë, do të zhvillohet seminari “Jepi zë shqipes dhe identitetit!”, një aktivitet kushtuar mësimit të gjuhës shqipe në diasporë dhe rolit të shkollave shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar te brezat e rinj.
Seminari do të mbahet nga ora 09:30 deri në 13:00, në ambientet e Palazzo del Governatore, në Piazza Garibaldi, me pjesëmarrjen e mësuesve, përfaqësuesve të shoqatave kulturore dhe aktorëve që kontribuojnë në mësimin dhe promovimin e gjuhës shqipe në Itali.
Aktiviteti organizohet nga Lidhja e Shkollave të Gjuhës Shqipe në Itali, në bashkëpunim me shoqatën “Scanderbeg” Parma, me mbështetjne e e Komunës së Parmës.
Sipas programit të publikuar, aktiviteti do të moderohet nga Eglantina Likaj dhe do të nisë me fjalët përshëndetëse të Anila Berberit, kryetare e Lidhjes së Shkollave të Gjuhës Shqipe në Itali, dhe Sonila Otobashit, kryetare e shoqatës “Scanderbeg” në Parma. Programi parashikon gjithashtu edhe një përshëndetje nga Tefta Dedas, ish-drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare “Anastas Laska” në Libofshë të Fierit.
Në fokus të seminarit do të jenë përvojat e shkollave shqipe dhe metodat për ta përcjellë gjuhën e trashëgimisë te fëmijët e diasporës.
Prof. Ledi Shamku Shkreli do të mbajë kumtesën “Thirre gjuhën tënde”, ndërsa prof. Linda Mëniku do të trajtojë temën “Të njohim nxënësin që kemi përballë: shqipja si gjuhë trashëgimie”.
Vilma Gjyshja do të prezantojë rolin e qendrave kulturore në ruajtjen e gjuhës dhe kultivimin e traditave, duke përfaqësuar shoqatën “Assoalbania Piemonte” dhe Qendrën Artistike Kulturore “Margarita Xhepa” në Asti.
Programi do të vijojë me kumtesën “Gjuha përtej kufijve”, nga Enriketa Zeqo, mësuese në shkollën “Gjiri i Mëmës” në Massa Lombarda, si dhe me prezantimin “Flasim shqip me Lirin”, nga Mirela Tomassini e shoqatës “Arbëria” në Bolzano.
Përvojat nga shkollat shqipe në Itali do të jenë gjithashtu pjesë e diskutimit. Mësueset Nereida Xhakolli, Marsela Mana dhe Valbona Toçi do të prezantojnë temën “Ngjyra që flasin”, duke sjellë përvojat nga shkollat “Rinia” në Riva del Garda, “Migjeni” në Fano dhe “Korabi” në Bolonjë.
Seminari do të përfundojë me ndarjen e çmimeve.




