Gazetarët shqiptarë të moshës 22 deri në 32 vjeç kanë mundësi të aplikojnë në një program të ri zhvillimi profesional, që përfshin trajnime të avancuara, një fellowship tre-mujor në Shtetet e Bashkuara dhe realizimin e një projekti individual gazetarie.
PENA – Press Education & Newsroom Access është programi i ri i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), i konceptuar si një eksperiencë 9-mujore për gazetarët e rinj që duan të zhvillojnë më tej aftësitë dhe eksperiencën e tyre profesionale.
Programi nis me 48 orë trajnime nga janari deri në mars 2027, ku pjesëmarrësit do të punojnë me ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë në tema si etika në gazetari, metodat investigative dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale në gazetari.
Faza e dytë zhvillohet nga prilli deri në qershor në SHBA. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të punojnë për tre muaj pranë mediave të njohura amerikane, duke u njohur nga afër me punën në redaksi dhe duke krijuar kontakte profesionale ndërkombëtare. Kostoja e pjesëmarrjes në program mbështetet financiarisht nga AADF.
Në tre muajt e fundit, nga korriku deri në shtator, secili pjesëmarrës do të realizojë një projekt individual gazetarie, të lidhur me interesat dhe profilin e tij profesional. Për projektet do të ofrohen edhe mikrogrante për kërkim, ndërsa puna e përfunduar mund të bëhet pjesë e portofolit profesional të gazetarit.
Gjatë gjithë programit pjesëmarrësit do të kenë edhe mbështetje përmes mentorimit.
PENA synon të krijojë një lidhje mes trajnimit profesional, eksperiencës ndërkombëtare dhe punës konkrete në gazetari, duke u dhënë gazetarëve të rinj mundësi për të zgjeruar njohuritë dhe eksperiencën e tyre në një periudhë kur industria e medias po ndryshon me ritme të shpejta.
Kush mund të aplikojë?
Kandidatët duhet të jenë shtetas shqiptarë, 22–32 vjeç, të kenë të paktën dy vite eksperiencë profesionale në gazetari, diplomë universitare dhe njohuri shumë të mira të gjuhës angleze. Në aplikim duhet të paraqesin edhe shembuj të punës së tyre gazetareske të realizuar gjatë dy viteve të fundit.
Afati i aplikimit është 1 nëntor 2026.
Aplikimet janë hapur më 21 shtator dhe bëhen online përmes faqes së PENA Fellowship.
Programi u prezantua zyrtarisht më 21 shtator në Piramidën e Tiranës, në një aktivitet ku morën pjesë përfaqësues të komunitetit të medias.
Martin Mata, Drejtor Ekzekutiv i AADF, gjatë ceremonisë së prezantimit të programit tha se:
“Vendimi për të hyrë në këtë fushë ka qenë i menduar gjatë dhe me shumë kujdes. PENA lindi pikërisht nga një nevojë që kemi identifikuar brenda komunitetit të medias dhe nga bindja se zhvillimi profesional kërkon mundësi konkrete, ekspozim dhe eksperiencë. Në AADF kemi ndërtuar ndër vite një përvojë shumë të mirë me programe fellowship si LEAD Albania dhe MIP, dhe ajo që na udhëheq vazhdimisht është pasioni për t’i dhënë vendit mundësitë që i duhen. Kemi shumë besim se PENA do të jetë një eksperiencë me vlerë të madhe për këdo që do të bëhet pjesë e saj. Në fund, investimi më i vlefshëm që mund të bëjmë është investimi tek të rinjtë” .
I ftuar në ceremoni edhe gazetari dhe drejtori i informacionit në Top Channel, Robert Rakipllari, i cili foli mbi rëndësinë që kanë programe të tilla për rritjen profesionale të gazetarëve, ekspozimin ndaj praktikave të reja dhe forcimin e standardeve të gazetarisë.
Alda Shabani, Menaxhere Projekti në AADF prezantoi të plotë programin dhe komponentët e tij.







