Nga Yllka Lezo
Ka disa vende që nuk maten me muret që kanë, por me kujtimet që ndërtojnë. Ka institucione që nuk lindin nga një vendim administrativ, por nga një peng i mbajtur gjatë në zemër. Pikërisht kështu nisi edhe historia e Shkollës Shqipe “Vatra” në Bruksel, një histori që këtë vit shënoi 21 vite rrugëtim, duke u kthyer në një nga shembujt më jetëgjatë të ruajtjes së gjuhës dhe identitetit shqiptar në diasporë.
Në ceremoninë përmbyllëse të vitit shkollor 2025–2026 nuk munguan emocionet. Fëmijët mbanin në duar dëftesat, prindërit ndiqnin me krenari çdo performancë artistike, ndërsa në skenë ngjiteshin breza të tërë mësuesish, bashkëpunëtorësh dhe ish-nxënësish që kanë lënë gjurmë në historinë e kësaj shkolle. Ishte një festë, por mbi të gjitha ishte një dëshmi se një ëndërr e nisur më shumë se dy dekada më parë jo vetëm ka mbijetuar, por është bërë pjesë e identitetit të komunitetit shqiptar në Belgjikë.
Në qendër të këtij rrugëtimi qëndron Amet Gjana, një nga themeluesit dhe drejtuesit e “Vatrës”, i cili e kujton fillimin jo si një projekt, por si një detyrim moral ndaj brezave që do të vinin.
“Kur kthehem pas në kohë, gjithçka nis nga një peng i hershëm”, thotë ai.
Kur ishte fëmijë, në Bruksel kishte ekzistuar një shkollë shqipe, por ajo nuk arriti të mbijetonte. U mbyll pa përfunduar ciklin e saj dhe la pas një boshllëk që do ta shoqëronte për vite me radhë.
“U rrita me bindjen se shkollat shqipe në diasporë nuk duhet të jenë nisma kalimtare. Ato duhet të jenë institucione të qëndrueshme.”
Në fillim të viteve 2000, Belgjika po priste një valë të madhe emigrantësh shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera shqiptare. Shumë prej tyre largoheshin nga plagët e luftës, të tjerë nga varfëria dhe mungesa e perspektivës. Fëmijët po rriteshin në një realitet të ri, mes frëngjishtes dhe holandishtes, ndërsa gjuha e nënës rrezikonte të mbetej vetëm kujtim i bisedave familjare.
Për Gjanën kjo ishte një kambanë alarmi.
“Nuk mund të pranonim që një brez i tërë të mos dinte të lexonte dhe të shkruante shqip, të mos njihte historinë dhe kulturën e vet.”
Në vitin 2005, së bashku me profesor Ibrahim Dizdarin, ai hodhi themelet e një programi plotësues për mësimin e gjuhës shqipe në një nga komunat e Brukselit. Askush nuk e dinte nëse do të zgjaste një vit, dy apo pesë. Sot, pas 21 vitesh, ajo nismë është kthyer në një institucion ku kanë kaluar mbi një mijë nxënës.
Asgjë nuk ishte e lehtë në fillim. Megjithëse komuniteti shqiptar kishte njohur më parë përpjekje për mësimin e shqipes, prindërit ishin skeptikë. Përvoja e dështimeve të mëparshme kishte krijuar mosbesim. Duhej fituar sërish besimi i familjeve. Mësuesit nuk prisnin që prindërit të vinin vetë. Ata trokisnin derë më derë. Shkonin në familjet shqiptare, flisnin me prindërit, u shpjegonin pse ishte e rëndësishme që fëmijët të mësonin gjuhën amtare. Në të njëjtën kohë organizoheshin aktivitete kulturore, festa dhe koncerte që e afronin komunitetin rreth shkollës.
“Nuk ndërtohet një shkollë vetëm me banka dhe libra. Ndërtohet duke krijuar besim.” Besimi u kthye ngadalë në pjesëmarrje. Pjesëmarrja u shndërrua në traditë. Në çdo histori suksesi ka njerëz që nuk shfaqen gjithmonë në plan të parë, por pa të cilët rrugëtimi nuk do të ishte i mundur.
Për “Vatrën”, një prej tyre është profesor Ibrahim Dizdari. Amet Gjana e quan bashkëudhëtarin e tij më të rëndësishëm.
Ai solli përvojën pedagogjike dhe autoritetin profesional në një kohë kur shkolla kishte nevojë për seriozitet dhe besueshmëri. Ndërkohë vetë Gjana u përqendrua në organizimin dhe sigurimin e mbështetjes institucionale. Një tjetër figurë që la gjurmë ishte koreografja e parë, Ajshe Morina.
Në pamje të parë mund të duket se vallja nuk ka lidhje me mësimin e gjuhës, por në realitet ajo u kthye në një nga arsyet kryesore që shumë fëmijë e prisnin me padurim fundjavën.
“Shkolla nuk mund të ishte vetëm një klasë ku mësoheshin shkronjat. Ajo duhej të kishte jetë.”
Vallet popullore, këngët tradicionale dhe aktivitetet artistike krijuan një atmosferë krejt tjetër. Fëmijët nuk shkonin në shkollë vetëm për të mësuar alfabetin, por për të ndier se ishin pjesë e një komuniteti.
Kjo frymë vazhdon edhe sot.
Pas Ajshe Morinës erdhi Vaile Shkodra, dikur vetë nxënëse e “Vatrës”, ndërsa sot stafetën e mban Genta Hoti, gjithashtu një ish-nxënëse e shkollës. Për Amet Gjanën kjo është prova më e bukur se misioni i “Vatrës” ka dhënë fryte. “Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të shohësh fëmijët që dikur uleshin në bankat e shkollës të rikthehen sot si mësues, koreografë apo organizatorë.” Ky është ndoshta suksesi më i madh i kësaj shkolle. Ajo nuk ka edukuar vetëm nxënës.
Ka formuar njerëz që sot po mbajnë gjallë të njëjtin mision.
Kur misioni bëhet më i fortë se vështirësitë
Të mbash gjallë një shkollë shqipe në diasporë për një vit është sfidë. Ta mbash për më shumë se dy dekada kërkon shumë më tepër sesa dëshirë. Kërkon njerëz që nuk lodhen nga pengesat, mësues që punojnë më shumë për mision sesa për pagesë dhe një komunitet që beson se ruajtja e gjuhës është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen.
Në 21 vitet e ekzistencës së saj, “Vatra” është përballur me pothuajse çdo vështirësi që mund të hasë një shkollë e diasporës.
Në fillim ishte problemi i ambienteve. Gjetja e klasave ku do të zhvillohej mësimi nuk ishte aspak e lehtë. Çdo vit duhej siguruar që fëmijët të kishin një vend të përshtatshëm dhe të sigurt ku të mësonin shqip. Më pas vinte një tjetër sfidë: mungesa e materialeve didaktike.
Në vitin 2005 nuk ekzistonte bashkëpunimi që ekziston sot mes institucioneve shqiptare dhe atyre kosovare për tekstet e unifikuara. Mësuesit shpesh improvizonin, përgatisnin materiale vetë dhe kërkonin mënyra krijuese për ta bërë mësimin sa më tërheqës.
Por ndoshta sfida më e madhe ishte vetë klasa.
Në të njëjtën bankë uleshin fëmijë që flisnin rrjedhshëm shqip dhe të tjerë që kuptonin vetëm disa fjalë. Kishte nxënës që vinin nga familje ku shqipja flitej çdo ditë dhe të tjerë që në shtëpi komunikonin pothuajse vetëm në frëngjisht ose holandisht.
Për një mësues kjo do të thoshte të zhvillonte disa nivele mësimi njëkohësisht.
“Çdo klasë përbëhet nga fëmijë me njohuri shumë të ndryshme të gjuhës shqipe. Mësuesit duhet të përshtasin metodën për secilin prej tyre dhe kjo është një sfidë e përhershme,” shpjegon Amet Gjana.
Edhe vetë organizimi i mësimit ka kufizimet e veta. Shkolla funksionon vetëm disa orë gjatë fundjavës. Mësuesit nuk kanë kontrata të plota pune dhe nuk mund ta kenë këtë angazhim si profesionin e tyre kryesor.
Megjithatë, ata vazhdojnë. “Ne kemi pasur fatin të kemi njerëz që e kanë parë këtë punë si një mision.” Pikërisht kjo frymë ka bërë diferencën. Me kalimin e viteve, sfidat kanë ndryshuar.
Nëse dikur shqetësimi kryesor ishte regjistrimi i fëmijëve, sot beteja më e madhe është ruajtja e lidhjes së tyre me gjuhën amtare. Gjeneratat e para të emigrantëve sillnin me vete shqipen si gjuhë të përditshme. Sot, shumë nga nxënësit e “Vatrës” kanë lindur në Belgjikë. Disa prej tyre kanë si gjuhë të parë frëngjishten, të tjerë holandishten. Në shumë familje, edhe vetë prindërit nuk e përdorin më shqipen në nivelin që do të dëshironin. Ky është realiteti i diasporës. Dhe pikërisht këtu fillon beteja kundër asimilimit.
“Ne nuk luftojmë vetëm që fëmijët të mësojnë disa rregulla gramatikore. Luftojmë që ata të mos humbasin lidhjen me rrënjët.”
Për këtë arsye, “Vatra” nuk është ndërtuar vetëm si shkollë.
Ajo është një qendër kulturore. Në kalendarin e saj nuk gjen vetëm orë mësimi, por edhe festa kombëtare, koncerte, aktivitete artistike, shfaqje folklorike dhe takime komunitare.
Qëllimi është që fëmijët ta jetojnë kulturën shqiptare dhe jo vetëm ta mësojnë atë nga librat.
“Ne duam që përkatësia shqiptare të mos jetë një kujtim i largët, por një burim krenarie.”, shpjegon Gjana.
Pikërisht për këtë arsye, muzika dhe vallja kanë zënë gjithmonë një vend të rëndësishëm në jetën e shkollës.
Në skenën e jubileut, publiku pa një brez të ri valltarësh që interpretonin me të njëjtin pasion si paraardhësit e tyre.
Por pas çdo koreografie fshihet një histori.
Pas Ajshe Morinës, përgjegjësinë për grupin artistik e mori Vaile Shkodra, një vajzë që kishte qenë vetë nxënëse e “Vatrës”. Sot, stafetën po e vazhdon Genta Hoti, gjithashtu e rritur brenda kësaj shkolle.
Ky brez i tretë koreografësh është ndoshta simboli më domethënës i suksesit të “Vatrës”.
Institucioni nuk ka krijuar vetëm nxënës. Ka krijuar pasues. Ka krijuar njerëz që ndihen përgjegjës për ta vazhduar këtë mision. “Nuk ka gëzim më të madh sesa të shohësh ish-nxënësit të rikthehen për t’u mësuar fëmijëve të tjerë atë që dikur mësuan vetë.” Thotë Gjana “ Është një zinxhir që nuk është këputur për 21 vjet”.
Një tjetër hallkë e rëndësishme në këtë histori ka qenë bashkëpunimi me autoritetet belge.
Amet Gjana e pranon se pa mbështetjen e Komunës së Molenbeek-ut shumë gjëra do të kishin qenë më të vështira. Sigurimi i ambienteve për zhvillimin e mësimit ka qenë një ndihmë konkrete që ka garantuar vazhdimësinë e shkollës.Por sipas tij, kjo mbështetje nuk erdhi rastësisht.
Ajo u ndërtua gradualisht, përmes përfaqësimit të komunitetit shqiptar dhe angazhimit të tij në jetën publike belge. “Në momentin që komuniteti fiton peshë, edhe institucionet e dëgjojnë më shumë zërin e tij.”
Për këtë arsye ai e konsideron integrimin politik të shqiptarëve në Belgjikë si një element po aq të rëndësishëm sa edhe vetë ruajtja e gjuhës. Sepse vetëm një komunitet i organizuar dhe i përfaqësuar mund të mbrojë në mënyrë afatgjatë institucionet e veta kulturore.
Në të njëjtën kohë, “Vatra” ka gjetur mbështetje edhe nga Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës, si edhe nga Qendra e Botimeve për Diasporën, e cila furnizon shkollën me tekstet e unifikuara të gjuhës shqipe. Megjithatë, sipas Gjanës, kjo nuk mjafton.
Shkollat shqiptare në diasporë kanë nevojë për më shumë investim, për mbështetje financiare të qëndrueshme dhe për politika afatgjata që t’i ndihmojnë të përballojnë sfidat e asimilimit. “Ne kemi nevojë të ndërtojmë institucione të forta, sepse asimilimi nuk pret. Ai ndodh çdo ditë.”
Më shumë se një shkollë, një trashëgimi për brezat që vijnë
Në çdo komunitet emigrant ka familje që mbajnë mbi supe një pjesë të madhe të jetës shoqërore. Janë ata njerëz që nuk shfaqen gjithmonë në plan të parë, por që gjenden aty sa herë organizohet një aktivitet, sa herë duhet ndihmë, sa herë duhet mbështetur një kauzë.
Për Amet Gjanën, një nga shtyllat më të rëndësishme të “Vatrës” kanë qenë pikërisht këto familje.
Ai ndalet veçanërisht te familja Shkodra, e cila prej vitesh është bërë pjesë e pandashme e jetës së shkollës.
“Në diasporë është gjithnjë e më e vështirë të gjesh familje që japin kaq shumë nga koha dhe energjia e tyre. Pikërisht njerëz të tillë e mbajnë gjallë komunitetin.”
Por sipas tij, vetëm vullnetarizmi nuk mjafton.
Nëse shkollat shqipe duan të jenë konkurruese me ofertën e pasur kulturore që u ofron shteti belg fëmijëve, atëherë kanë nevojë edhe për një bazë të qëndrueshme financiare.
Prandaj ai u bën thirrje edhe sipërmarrësve shqiptarë në Belgjikë dhe në gjithë Beneluksin që të shohin arsimin në diasporë si një investim për komunitetin.
“Nëse duam aktivitete cilësore, mësues të motivuar dhe institucione të forta, duhet të krijojmë një mbështetje të qëndrueshme ekonomike.”
Momenti më prekës i ceremonisë së 21-vjetorit ishte ndoshta ndarja e dëftesave. Në sallë nuk kishte vetëm fëmijë që festonin përfundimin e një viti shkollor. Ishin prindër që shihnin fëmijët e tyre të lexonin shqip. Ishin gjyshër që dëgjonin nipërit të recitonin në gjuhën që kishin sjellë me vete nga vendlindja. Ishin mësues që përcillnin edhe një brez tjetër drejt rrugës së identitetit.
Për Amet Gjanën, ky është shpërblimi më i madh.
“Të shohësh lotët e gëzimit në sytë e prindërve dhe krenarinë në fytyrat e fëmijëve është një ndjenjë që nuk mund të përshkruhet.”
Ai flet me respekt të veçantë për mësueset aktuale të shkollës – Nereida Çoku, Fillareti Katro, Nora Nina dhe Anxhela Kotorri Hoxha – të cilat vazhdojnë çdo fundjavë të njëjtin mision që nisën para tyre kolegët e brezave të parë.
Por mirënjohja e tij shkon shumë më larg.
Ai përmend me emocion të gjithë ata misionarë të arsimit që kanë kaluar nëpër “Vatër” gjatë këtyre 21 viteve, duke lënë një pjesë të jetës së tyre në këtë shkollë. “Ky sukses mban gjurmët e secilit prej tyre: Ajshe Morina, Silvana Gjerbrea, Sali Abdyli, Bajame Hoxha, Vaile Shkodra, Mirjeta Bardhoci, Majlinda Ameri, Arta Kapaj, Oriola Vasili, Fatbardha Skepi, Eriselda Dyrmishi, Etleva Matranxhi, Imer Abazi, Aspri Kapo, Ermenita Çera, Alisa Syknej, Elona Turkeshi, Nereida Çoku, Sonila Aliaj, Fillareti Katro, Anxhela Kotorri, Nora Nina dhe Genta Hoti. Një mirënjohje e pafundme dhe një falënderim i madh i takon, si gjithmonë, bashkëudhëtarit tim, profesor Ibrahim Dizdarit, pa të cilin ky rrugëtim nuk do të kishte nisur dot”.
Sipas tij, historia e “Vatrës” nuk është historia e një drejtuesi apo e një shoqate.
Është historia e dhjetëra njerëzve që kanë punuar pa zhurmë, shpesh pa asnjë shpërblim, vetëm sepse besonin se gjuha shqipe duhej të mbijetonte edhe larg atdheut.
Kur e pyet se cila është arritja më e madhe e këtij rrugëtimi, Amet Gjana nuk flet për numrin e aktiviteteve, për projektet apo për vlerësimet. Përgjigjja e tij është shumë më e thjeshtë.
“Fakti që pas 21 vitesh shkolla është ende këtu.”
Në një kohë kur shumë nisma kanë nisur me entuziazëm dhe janë shuar pas pak vitesh, “Vatra” ka arritur të thyejë këtë cikël.
Më shumë se një mijë fëmijë kanë kaluar në bankat e saj. Më shumë se një mijë histori personale janë lidhur me këtë shkollë. Për disa ajo ishte vendi ku mësuan të shkruanin emrin në shqip.Për të tjerë ishte skena ku kërcyen për herë të parë një valle shqiptare. Për shumë prej tyre ishte vendi ku krijuan miqësitë e para me bashkëmoshatarë që ndanin të njëjtat rrënjë. Dhe ndoshta kjo është trashëgimia më e madhe që mund të lërë një shkollë.
Por rrugëtimi nuk mbaron këtu. Përkundrazi, sfidat e së ardhmes janë edhe më të mëdha. Gjeneratat e reja kanë nevoja të tjera. Teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si mësojnë fëmijët. Metodat tradicionale nuk janë më të mjaftueshme. Prandaj drejtuesit e “Vatrës” kanë nisur të mendojnë për një etapë të re zhvillimi.
Objektivi është modernizimi i mësimdhënies përmes platformave digjitale, mjeteve audiovizuale dhe metodave interaktive që e bëjnë mësimin e shqipes më tërheqës për fëmijët që kanë lindur e po rriten në Belgjikë. Një tjetër synim është krijimi i partneriteteve më të forta me bizneset shqiptare në Beneluks, për të siguruar mbështetje financiare afatgjatë dhe për t’u dhënë mësuesve vlerësimin që meritojnë. Po aq i rëndësishëm mbetet edhe angazhimi i ish-nxënësve. Ata që dikur hynë në klasë si fëmijë, sot janë të rinj të arsimuar, të integruar në shoqërinë belge dhe të gatshëm të japin kontributin e tyre.
Për Amet Gjanën, kjo është garancia më e fortë se “Vatra” do të vazhdojë të jetojë.
Në fund të bisedës, ai ka një mesazh të drejtpërdrejtë për prindërit shqiptarë që ende hezitojnë t’i regjistrojnë fëmijët në shkollën shqipe. Nuk është një apel formal. Është një thirrje që buron nga përvoja e më shumë se dy dekadave. “Mos ua mohoni fëmijëve tuaj pasurinë më të madhe që kanë trashëguar falas – gjuhën amtare.”
Sipas tij, integrimi në shoqërinë belge nuk bie në kundërshtim me ruajtjen e identitetit shqiptar. Përkundrazi. Fëmijët që njohin gjuhën dhe kulturën e prindërve të tyre rriten më të sigurt, më krenarë për origjinën dhe më të aftë për të ndërtuar identitetin e tyre në një shoqëri shumëkulturore.
“Asimilimi është një proces i heshtur. Nuk ndodh brenda një dite, por pak nga pak. Kur e kupton se lidhja me gjuhën është këputur, shpesh është tepër vonë.” Për këtë arsye, “Vatra” vazhdon të mbetet shumë më tepër sesa një shkollë fundjave.
Është vendi ku fëmijët mësojnë alfabetin, por edhe historinë e familjeve të tyre.
Është vendi ku vallja, kënga dhe gjuha bashkohen për të krijuar një identitet që nuk shuhet me kalimin e brezave.
Njëzet e një vite pas hapjes së dyerve të saj, “Vatra” vazhdon të jetë besnike emrit që mban.
Një vatër ku ruhet gjuha.
Një vatër ku mbrohet kujtesa.
Një vatër ku, larg Shqipërisë dhe Kosovës, vazhdon të rrahë zemra shqiptare.
















