Nga Soni Memoci
Shqipëria po ecën drejt Bashkimit Europian. Por pyetja që duhet të bëjmë është më e rëndësishme se çdo afat, kapitull negociatash apo deklaratë politike: Çfarë Shqipërie po çojmë në Europë?
Sepse Europa nuk duhet të jetë bileta për t’u larguar nga Shqipëria. Duhet të jetë arsyeja që shqiptarët të mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin e tyre.
Integrimi nuk mund të matet vetëm me atë që ndodh në Bruksel. Nuk mjafton të hapen e të mbyllen kapituj, të miratohen ligje apo të ngrihet një ditë flamuri shqiptar përkrah flamujve të vendeve anëtare.
Integrimi i vërtetë ndodh kur Europa vjen në Shqipëri.
Kur standardet europiane nuk mbeten në dokumentet e qeverisë, por bëhen realitet në jetën e qytetarit.
Nga Tirana deri në fshatin më të vogël të vendit.
Europa është këtu kur ligji zbatohet njësoj për të gjithë.
Kur administrata nuk pyet kë njeh dhe cilën parti mbështet.
Kur vendi i punës nuk përdoret si mjet presioni politik.
Kur qytetari mund të protestojë pa pasur frikë se nesër do të përballet me pasoja për shkak të bindjeve të tij.
Europa është këtu edhe kur gazetari që bën një pyetje të fortë nuk shihet si problem për t’u larguar nga salla, por si pjesë e domosdoshme e një demokracie funksionale.
Sepse liria e shtypit nuk provohet me pyetjet që i pëlqejnë pushtetit. Provohet pikërisht me pyetjet që e vënë pushtetin në vështirësi.
Një qeveri që synon Europën duhet të jetë e para që e kupton këtë.
Integrimi europian nuk është vetëm proces juridik apo ekonomik. Është, para së gjithash, një kulturë e ushtrimit të pushtetit: respekt për institucionet, tolerancë ndaj kritikës, llogaridhënie dhe kufizim i pushtetit politik.
Dhe këtu qëndron një parim që shpesh harrohet në Shqipëri.
Sovrani nuk është qeveria.
Nuk është partia.
Nuk është oligarku.
Sovrani është populli.
Qeveria merr një mandat të përkohshëm nga qytetarët. Nuk merr pronësinë mbi shtetin.
Prandaj pyetja, kritika dhe protesta paqësore nuk janë sulme ndaj Shqipërisë. Janë pjesë e demokracisë së saj.
Të kërkosh llogari nuk do të thotë të jesh kundër shtetit. Do të thotë të kërkosh një shtet më të drejtë.
Të denoncosh abuzimin nuk do të thotë të dëmtosh imazhin e Shqipërisë. Abuzimi e dëmton Shqipërinë, jo ai që e denoncon.
Dhe të kërkosh standarde europiane sot, jo pas anëtarësimit, nuk është padurim. Është pikërisht kuptimi i procesit të integrimit.
Shqiptarët nuk duhet të presin ditën e anëtarësimit për të pasur institucione që i respektojnë, një administratë që u shërben, një shtyp që pyet lirshëm dhe një shtet ku askush nuk ndihet mbi ligjin.
Këto nuk janë shpërblimi që merret në fund të rrugës drejt Europës.
Këto janë vetë rruga.
Prandaj Shqipëria ka nevojë për më shumë se një flamur në Bruksel.
Ka nevojë për Europën në gjykata, në administratë, në shkolla, në spitale, në media, në vendin e punës dhe në marrëdhënien e përditshme mes shtetit dhe qytetarit.
Vetëm atëherë integrimi do të ketë kuptim për njeriun e zakonshëm.
Vetëm atëherë Europa nuk do të shihet më si vendi ku duhet të ikësh për të pasur një të ardhme, por si standardi me të cilin mund ta ndërtosh atë këtu.
Jo vetëm Shqipëria në Europë.
Por Europa në Shqipëri.
Dhe deri sa kjo të bëhet realitet, qytetari duhet të vazhdojë të flasë, të pyesë dhe të kërkojë llogari — paqësisht, me dinjitet dhe me kokën lart.
Sepse Shqipëria nuk i përket pushtetit të radhës.
I përket qytetarëve të saj.



