Nga Anila Hyka Smørgrav
Në këtë datë, të 1938, u shua Migjeni.
Në këtë datë, të 1910, lindi Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza.
Migjeni i shkroi plagës së mjerimit.
Nënë Tereza u përkul mbi të, i perkushtoi jetën e saj.
Migjeni nuk shkroi thjesht për varfërinë. Ai denoncoi një shoqëri ku mjerimi ia merr njeriut dinjitetin, ndërsa indiferenca e të tjerëve ia merr edhe zërin.
Gati një shekull më pas, Shqipëria ka ndryshuar shumë, por pyetja migjeniane mbetet therëse. Sepse përtej fasadës së zhvillimit, kullave, resorteve dhe statistikave të suksesit, ekziston ende Shqipëria e familjeve që numërojnë qindarkat deri në fund të muajit, e të moshuarve që peshojnë ilaçet përballë pensionit, e njerëzve për të cilët dinjiteti mbetet një betejë e përditshme.
Ndoshta sot Migjeni nuk do të pyeste vetëm sa të varfër kemi? Do të na pyeste: çfarë vlere ka zhvillimi, nëse drita e fasadës bëhet aq e fortë sa të mos shohim më skamjen në hijen e saj?
Nënë Tereza na la një mësim tjetër po aq të fuqishëm: bamirësia nuk është skenë dhe nevojë nuk është dekor i bujarisë sonë.
Për të, vlera e dhënies nuk matej vetëm me atë që dilte nga xhepi, por me dashurinë, respektin dhe dinjitetin me të cilin arrinte te tjetri.
Sa aktuale tingëllon kjo në epokën e “facebook & Instagram charity”: kamera që ndizet përpara se të zgjatet dora, zarfi që dorëzohet para objektivit, loti që filmohet, përqafimi që postohet dhe varfëria e tjetrit që kthehet në sfond për të ndërtuar imazhin e bamirësit.
Ndihma mbetet ndihmë dhe çdo dorë e zgjatur ka vlerë. Por kur mjerimi bëhet skenografi, bamirësia rrezikon të humbasë virtytin dhe të fitojë marketingun.
Migjeni na mësoi të mos e zbukurojmë mjerimin.
Nënë Tereza, të mos e përdorim mjerimin për të zbukuruar veten.
Dhe ndoshta ky është mesazhi më i fortë për Shqipërinë e sotme: një vend nuk mund ta masë përparimin me lartësinë e kullave, luksin e resorteve apo shkëlqimin e fasadave, ndërsa një pjesë e njerëzve të tij luftojnë për minimumin e një jete dinjitoze.
Pasi varfëria nuk mbulohet me beton, mjerimi me propagandë, as bamirësia me kamera skenare te kuruara.
Me fasada qe shkëlqejnë gjithnjë e më shumë, por njeriu pas saj mbetet në hije, nuk kemi më vetëm një problem mjerimi. Kemi një shoqëri në krizë dinjiteti.
Dy jetë krejt të ndryshme me të njëjtën mesazh që nuk është plakur:
“dinjiteti i njeriut është matësi i vërtetë i një shoqërie.”