Gjashtë të rinj italianë nga Venosa, në provincën e Potencës, kanë ndërprerë pushimet e tyre në Shqipëri vetëm pak orë pas mbërritjes në Tiranë, pas një incidenti dhune të ndodhur më 29 korrik në qendër të kryeqytetit.
Sipas rrëfimit të njërit prej tyre për mediat italiane, grupi i të rinjve, të cilët kishin udhëtuar drejt Shqipërisë për disa ditë pushime pas përfundimit të provimeve universitare, u përball me një grup prej rreth 20 të rinjsh, të cilët sipas tyre ishin të moshës 16-18 vjeç.
Ngjarja, sipas dëshmisë së turistëve italianë, ka nisur rreth orës 21:30, pak pasi ata kishin dalë nga apartamenti ku qëndronin për të kërkuar një vend ku të darkonin.
“U afrua një grup djemsh vendas dhe na pyeti nga vinim. Ne u përgjigjëm se ishim italianë. Më pas, ndërsa po ecnim drejt sheshit ‘Skënderbej’, ata nisën të na ndiqnin”, ka treguar njëri prej të rinjve.
Sipas tij, situata u përshkallëzua kur grupi nisi t’u hidhte ujë, shishe dhe gurë. Të rinjtë italianë pretendojnë se fillimisht u përpoqën të shmangnin çdo përplasje, duke vazhduar rrugën, por më pas njëri prej tyre u rrethua dhe u kërcënua për t’i dhënë para.
“E rrethuan një prej nesh dhe i kërkuan para duke e kërcënuar me thikë. Disa arritën të largoheshin, por njëri mbeti pas dhe u godit me grushte e shkopinj”, ka deklaruar ai për mediat italiane.
Sipas dëshmisë së tyre, njëri prej të rinjve ka pësuar dëmtime dhe është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore. Ata kanë pretenduar gjithashtu se reagimi i parë i disa efektivëve në zonë nuk ishte ai që prisnin, ndërsa më pas ndërhyrën punonjës të tjerë të policisë, të cilët larguan personat e përfshirë dhe thirrën ambulancën.
Pas incidentit, gjashtë të rinjtë vendosën të ndërpresin menjëherë qëndrimin në Shqipëri dhe u kthyen në Itali në orët e para të mëngjesit të 30 korrikut. I riu i dëmtuar u vizitua në spitalin e Venosës pas kthimit në vendlindje.
Policia: Italiani u konfliktua me një grup të miturish, nuk pati kallëzim
Policia e Tiranës ka reaguar pas publikimit të pamjeve të incidentit në rrjetet sociale, duke dhënë versionin zyrtar për ngjarjen.
Sipas njoftimit të policisë, konflikti ka ndodhur rreth orës 22:00 të datës 29 korrik, në zonën pas Pallatit të Kulturës dhe është referuar si “Plagosje e lehtë me dashje”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë mbërritur në vendngjarje pas njoftimit për një konflikt, ku kanë konstatuar shtetasin italian G.M. me dëmtime të lehta sipërfaqësore. Në atë moment, në vendngjarje ndodheshin edhe dy shokë të tij.
Policia bën me dije se i riu ishte ndihmuar fillimisht nga punonjës të Policisë Bashkiake dhe më pas ishte transportuar për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas të dhënave nga personeli shëndetësor dhe kartela mjekësore, ai ka qenë i vetëdijshëm, jashtë rrezikut për jetën dhe me dëmtime të lehta.
Pas marrjes së ndihmës së parë, shtetasi italian është larguar me dëshirën e tij, pa përfunduar ekzaminimet dhe pa bërë kallëzim në polici. Edhe dy shokët e tij, sipas autoriteteve, nuk kanë dhënë informacion mbi rrethanat e konfliktit.
Pavarësisht mungesës së kallëzimit, grupi hetimor ka vijuar verifikimet përmes pamjeve filmike. Sipas policisë, nga këqyrja e tyre ka rezultuar se shtetasi italian ishte përfshirë në një konflikt me një grup të miturish.
Autoritetet po vijojnë punën për identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.



