Aurora Pirraku Nika ka shpallur kandidaturën e saj për Parlamentin e Suedisë dhe për Rajonin Västmanland në zgjedhjet e vitit 2026, duke kërkuar mbështetjen e votuesve suedezë dhe të qytetarëve me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit.
Pirraku Nika garon nën siglën e Moderaterna, duke e përqendruar mesazhin e saj politik te siguria, forcimi i ekonomisë, shëndetësia, arsimi dhe ndërtimi i një shoqërie më të qëndrueshme.
“Dua të jem zëri juaj për një Suedi më të fortë, më të sigurt dhe më të drejtë”, shprehet ajo në mesazhin e kandidimit.
Me një profil të formuar në disa fusha profesionale, Aurora Pirraku Nika prezantohet si specialiste në kriminologji dhe psikoterapi, me studime universitare në punën policore, lidership, psikologji dhe sjellje, si dhe në psikologjinë e punës dhe shëndetit.
Një pjesë e rëndësishme e mesazhit të saj u drejtohet suedezëve që jetojnë jashtë vendit, duke i ftuar të informohen dhe të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2026.
Sipas informacionit të publikuar në kuadër të fushatës, votuesit jashtë Suedisë mund të votojnë me postë ose pranë ambasadave dhe konsullatave suedeze. Votimi me postë nga jashtë vendit nis më 30 korrik 2026, ndërsa votimi në ambasada dhe konsullata nis më 20 gusht. Zgjedhjet parlamentare zhvillohen më 13 shtator 2026.
Pirraku Nika thekson gjithashtu rëndësinë e votës së diasporës, duke u bërë thirrje qytetarëve suedezë jashtë vendit që të informohen mbi procedurat zgjedhore dhe të marrin pjesë në proces.
“Suedia është vendi ynë – kudo që jetojmë. Zëri juaj ka rëndësi”, është një nga mesazhet e saj drejtuar votuesve jashtë Suedisë.
Për më shumë informacion rreth kandidaturës, mënyrës së votimit dhe programit të Moderaterna, Aurora Pirraku Nika ka vënë në dispozicion edhe kontaktet e saj për qytetarët.



