Dokumentari i ri “Film di Stato” i regjisorit shqiptar Roland Sejko nis shfaqjen në kinematë italiane duke filluar nga 13 prilli në Milano dhe 14 prilli në Romë, për të vijuar më tej në qytete të tjera të Italisë sipas kalendarit të publikimeve.
Vepra, e prodhuar dhe shpërndarë nga Luce Cinecittà, u prezantua premierë në seksionin “Notti Veneziane” të “Giornate degli Autori”, në bashkëpunim me Isola Edipo, duke tërhequr vëmendjen e kritikës ndërkombëtare.
“Film di Stato” është një zhytje e thellë arkivore dhe vizuale në Shqipërinë e diktaturës së Enver Hoxhës, nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990. Përmes materialeve filmike zyrtare, shpesh të papublikuara, dokumentari rindërton një epokë ku imazhi u kthye në instrument pushteti dhe propagande.
Filmi eksploron mënyrën se si regjimi ndërtoi vetëpërfaqësimin e tij përmes ceremonive, paradave masive, fjalimeve dhe ritualeve politike, duke krijuar një “kolonë zanore të pushtetit” që ndërthur imazhin, tingullin dhe heshtjen.
Sipas kritikëve, vepra e Roland Sejko shkon përtej dokumentarit tradicional, duke e transformuar materialin arkivor në një rrëfim artistik mbi mekanizmat e propagandës dhe mënyrën se si pushteti prodhon dhe kontrollon imazhin e vet.
Që nga periudha e pasluftës deri në izolimin total të vendit, Shqipëria e asaj kohe shfaqet në film si një realitet i ndërtuar mes mitit politik dhe realitetit historik, ku figura e Enver Hoxhës dominon çdo narrativë shtetërore.
Kalendari i shfaqjeve:



