Më 29 prill, në ambientet të “St James’s Piccadilly” në London, do të zhvillohet një koncert i veçantë i muzikës klasike. Eventi organizohet nga DEA Music dhe do të nisë në orën 19:30.
Në qendër të kësaj mbrëmjeje do të jetë violinistja virtuozë Alda Dizdari, e cila do të performojë e shoqëruar nga London International Concert Orchestra, nën drejtimin e dirigjentit Alexander Walker. Bashkëpunimi mes Dizdarit dhe Walker ka sjellë projekte të suksesshme ndër vite, përfshirë edhe një regjistrim të fundit të vlerësuar gjerësisht nga kritika.
Programi i koncertit përfshin vepra nga tre gjigantë të muzikës klasike: Antonín Dvořák, Jean Sibelius dhe Pyotr Ilyich Tchaikovsky, duke ofruar një udhëtim të pasur emocional dhe artistik për publikun.
Mbrëmja do të hapet me veprën “In Nature’s Realm” të Dvořák, një kompozim i ndritshëm që pasqyron bukurinë dhe energjinë e natyrës. Më pas, publiku do të ketë mundësinë të shijojë Koncertin për violinë të Sibelius, një nga veprat më të fuqishme të repertorit violinistik, ku Alda Dizdari do të sjellë virtuozitetin dhe ndjeshmërinë e saj artistike.
Koncerti do të kulmojë me Simfoninë nr. 4 të Tchaikovsky-t, një kryevepër e mbushur me dramë, pasion dhe intensitet emocional, e cila pritet të mbyllë mbrëmjen në mënyrë mbresëlënëse.
London International Concert Orchestra vazhdon të tërheqë publik të gjerë, duke ndërthurur muzikantë me përvojë nga orkestrat kryesore të Londrës me talente të rinj, duke krijuar një tingull të pasur dhe një atmosferë të veçantë koncertore.
Ky koncert pritet të jetë një përvojë e paharrueshme për dashamirësit e muzikës klasike dhe një dëshmi e gjallë e fuqisë së artit për të bashkuar breza dhe kultura të ndryshme.




