Një investim i rëndësishëm me ndikim strategjik është paralajmëruar në Shqipëri, pasi grupi grek “AKTOR” ka njoftuar hyrjen zyrtare në sektorin minerar në vend.
Marrëveshja kornizë e nënshkruar me “BNI Foundation” parashikon bashkëpunim ekskluziv për kërkimin, zhvillimin dhe shfrytëzimin e burimeve minerare kritike, konkretisht nikelit dhe kobaltit. Këto minerale janë thelbësore për prodhimin e baterive për automjetet elektrike dhe sistemet e ruajtjes së energjisë.
Sipas marrëveshjes, do të krijohet një kompani e përbashkët (joint venture) sipas legjislacionit shqiptar, ku AKTOR do të zotërojë 51% të aksioneve përmes filialit të saj të ri AKTOR Metal, ndërsa BNI Foundation do të mbajë 49%. Kjo e fundit do të kontribuojë me licencat dhe të drejtat ekzistuese për projektet minerare.
Vlera e investimit, në fazën e plotë të zhvillimit, pritet të arrijë deri në 1 miliard euro. Financimi do të mbështetet në masë të madhe nga kapital amerikan, ndërsa projekti do të asistohen teknikisht nga kompani me bazë në SHBA, duke e bërë këtë nismë pjesë të përpjekjeve perëndimore për sigurimin e zinxhirit të furnizimit me lëndë të para kritike.
Projekti fokusohet në zonën e Bilishtit, në juglindje të Shqipërisë, ku vlerësohet se ndodhen mbi 500 mijë tonë nikel dhe rreth 25 mijë tonë kobalt, duke e renditur këtë zonë ndër rezervat më të mëdha në Europë. Përveç nxjerrjes së mineraleve, marrëveshja përfshin edhe ndërtimin dhe operimin e impianteve përpunuese.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur SHBA dhe vendet e Europës Perëndimore po kërkojnë të reduktojnë varësinë nga Kina për përpunimin e këtyre mineraleve strategjike. Aktualisht, Kina dominon tregun global të përpunimit të nikelit dhe kobaltit.
Sipas burimeve të tregut, marrëveshja lidhet edhe me vizitën e fundit në Tiranë të drejtuesit të AKTOR, Alexandros Exarchos, i cili zhvilloi takime së bashku me ambasadoren amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle, dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Ky investim konsiderohet si një hap i rëndësishëm për ekonominë shqiptare dhe për pozicionimin e vendit në hartën europiane të burimeve strategjike.




