Një degë e re e Shkolla Shqipe “28 Nëntori” Manchester do të hapë dyert për nxënësit në veri të qytetit, duke zgjeruar kështu rrjetin e arsimit shqip për fëmijët e diasporës.
Pas suksesit të shkollës shqipe në zonën e Wythenshawe, kjo nismë synon t’u japë më shumë fëmijëve shqiptarë mundësinë të mësojnë gjuhën, historinë dhe traditat shqiptare, edhe pse jetojnë larg atdheut. Organizatorët theksojnë se hapja e kësaj dege është rezultat i bashkëpunimit dhe përkushtimit të komunitetit shqiptar në Manchester, i cili prej vitesh ka shprehur dëshirën për më shumë hapësira edukimi në gjuhën amtare.
Degë e re e shkollës do të funksionojë në adresën Crescent Rd, Crumpsall, Manchester M8 5UF, ndërsa mësimi do të zhvillohet çdo të shtunë nga ora 16:00 deri në 18:00, duke nisur nga 4 prilli.
Nisma është një ftesë e hapur për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Manchester dhe zonat përreth, jo vetëm për fëmijët, por edhe për familjet që dëshirojnë të mbajnë gjallë lidhjen me gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Organizatorët shprehen se kjo shkollë është më shumë se një vend mësimi: ajo është një hapësirë ku fëmijët e diasporës njihen me rrënjët e tyre, ndërtojnë identitetin dhe krijojnë lidhje me kulturën shqiptare.



