Kur ishte vetëm 23 vjeç dhe drejtonte një restorant, sipërmarrësi shqiptar Premtim Gjonbalic vuri re një problem të madh në industrinë e hoteleve: mënyra se si ofrohej ushqimi dhe shërbimi në dhomë ishte joefikase dhe shpesh me humbje për hotelet.
Djali i emigrantëve shqiptarë nga Mali i Zi, të cilët u vendosën në New York në fillim të viteve ’90, Gjonbalic u rrit praktikisht në kuzhinë. Babai i tij punoi në shumë profesione të lidhura me restorantet përpara se të hapte biznesin e tij të parë. Pikërisht aty Premtimi filloi të punonte fillimisht si ndihmës në restorant, më pas duke shpërndarë ushqim dhe më vonë si menaxher.
Gjatë punës së tij ai vuri re se shumë hotele në fakt humbnin para nga shërbimi në dhomë. Kjo ndodhte për shkak të kostove të larta të stafit dhe numrit të paqëndrueshëm të porosive, ndërkohë që hotelet ishin të detyruara ta ofronin këtë shërbim për të ruajtur standardet dhe klasifikimin me yje.
“Ata humbnin para sepse nuk kishte përfitim nga shkalla e shërbimit,” shpjegon Gjonbalic. “Një hotel me 150 dhoma mbante staf të plotë shtatë ditë në javë, me tre turne në ditë, për të shitur një produkt që konsumohet menjëherë. Ishte krijuar një sistem ku hotelet nuk mund ta hiqnin këtë shërbim, sepse pa të nuk mund të ofronin paketa për klientë apo grupe biznesi, por nëse e mbanin, humbnin shumë para.”
Për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, në vitin 2015 ai themeloi kompaninë Butler Hospitality, një platformë që ofron shërbim ushqimi dhe shërbime të tjera për hotelet përmes modelit të ashtuquajtur “ghost kitchen” – kuzhina që përgatisin ushqim për disa hotele njëkohësisht pa qenë restorante tradicionale.
Së fundmi kompania njoftoi se ka siguruar 15 milionë dollarë investim në raundin financiar “Series A”, të udhëhequr nga &vest, me pjesëmarrjen e Mousse Partners dhe investitorëve ekzistues si Scopus Ventures, Kraft Group dhe Loeb.nyc. Pas këtij investimi, vlera e kompanisë ka arritur në rreth 85 milionë dollarë.
Modeli i kompanisë është i thjeshtë, por inovativ: Butler Hospitality merr në menaxhim kuzhinat e restoranteve të hoteleve që nuk shfrytëzohen plotësisht dhe prej aty përgatit ushqime që shpërndahen në disa hotele përreth, duke bashkuar kërkesën e shumë hoteleve në një qendër të vetme prodhimi.
Aktualisht kompania operon nga katër restorante hotelesh në New York, duke furnizuar me ushqim dhe shërbime në dhomë 119 hotele dhe më shumë se 30 mijë dhoma. Mes klientëve të saj janë zinxhirë të njohur hotelesh si Hilton, Marriott, Hampton Inn dhe Holiday Inn.
Sipas Gjonbalic, kompania ka dyfishuar çdo vit numrin e dhomave që shërben dhe aktualisht ka rreth 250 punonjës me kohë të plotë. Përveç New York, kompania planifikon të zgjerohet edhe në tregje të tjera të mëdha si Chicago, Miami dhe Washington, D.C..
Modeli i biznesit funksionon në formën B2B2C: klientët e hotelit porosisin përmes platformës së Butler, pagesa bëhet në recepsionin e hotelit, ndërsa kompania merr 90% të të ardhurave, ndërsa 10% i mbeten hotelit.
Megjithëse investimi erdhi në një periudhë të vështirë për industrinë e turizmit dhe hotelerisë për shkak të pandemisë së COVID-19, Gjonbalic beson se shërbimi në dhomë do të mbetet një pjesë e rëndësishme e përvojës së mysafirëve në hotele.
“Mysafirët e hoteleve shpesh përfundonin duke porositur vetëm sanduiçe të thjeshta apo ushqime të shpejta, sepse mendonin se shërbimi i hotelit do të vononte dhe do të ishte shumë i shtrenjtë,” thotë ai. “Ne donim ta ndryshonim këtë. Ushqimi në dhomë duhet të jetë një përvojë e veçantë dhe luksoze. Ne donim ta bënim të ndihej si magji – ashtu siç duhet të jetë përvoja në një hotel.”



