Në shkollat shqipe të Medvegjë u shënua me emocione dhe nota të forta patriotike 7 Marsi – Dita e Mësuesit, një ditë që simbolizon sakrificën dhe përkushtimin për ruajtjen e dijes dhe të gjuhës shqipe ndër breza.
Me këtë rast, Karvani i Shkrimtarëve i Luginës vizitoi shkollat shqipe të komunës së Medvegjës, duke sjellë një atmosferë të veçantë kulturore dhe letrare. Në aktivitet morën pjesë shkrimtarët Rexhep Abazi dhe Bilall Maliqi, të cilët folën për rëndësinë jetike që ka kjo datë për arsimin dhe identitetin kombëtar shqiptar. Ata recituan gjithashtu poezi para nxënësve, duke përcjellë mesazhe dashurie për gjuhën, kulturën dhe atdheun.
Këtë vit u shënua edhe jubileu i dhjetë i organizimit të kësaj veprimtarie në shkollat shqipe të Medvegjës, një traditë që ka nisur në vitin 2016 dhe që vazhdon të mbajë gjallë frymën e arsimit shqip në këtë trevë.
Në fjalën e tij, Rexhep Abazi, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Shoqatës, falënderoi drejtorët e shkollave, mësimdhënësit dhe nxënësit për përkushtimin dhe interesimin që kanë treguar gjatë këtyre dhjetë viteve për të qenë pjesë e orëve letrare dhe aktiviteteve kulturore.
Në sytë e nxënësve vërehej qartë dëshira dhe dashuria për kulturën, poezinë dhe gjuhën shqipe, një dëshmi se fryma e arsimit dhe identitetit kombëtar vazhdon të jetojë edhe në kushte të vështira.
Përveç poetëve të ftuar, në program morën pjesë edhe nxënësit Engjëll Sahiti, Benjamin Salihu, Ubejd Hasani, Musa Isufi, Anisa Halimi, Erzana Hasani, Blerta Bala, Arta Balaj, Shkurte Brahimi, Amire Kosumi dhe Dren Halimi, të cilët recituan poezi dhe sollën emocione të veçanta për të pranishmit.
Në fund të aktivitetit, nxënësit i nderuan mësuesit e tyre me nga një dhuratë simbolike për Ditën e Mësuesit, në shenjë mirënjohjeje për punën dhe sakrificën e tyre.
Sot, në shkollat shqipe të Medvegjës mësojnë gjithsej 38 nxënës shqiptarë, një numër i vogël, por që mbart një mesazh të madh: se gjuha dhe arsimi shqip vazhdojnë të jetojnë falë përkushtimit të mësuesve dhe dashurisë së brezit të ri për identitetin e tyre kombëtar./A1info/




