Në Stokholm promovohet libri “Zogj të harruar” në nderim të UÇK-së

E martë, 17 Nëntor, 2026

Me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së, Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm organizoi promovimin e librit “Zogj të harruar dhe tregime të tjera” të autorit Shqiptar Oseku, në një aktivitet që ndërthurte kujtesën historike me reflektimin letrar.

Në fjalën e saj, Ambasadorja e Kosovës në Suedi, znj. Geci, theksoi se Epopeja e UÇK-së përfaqëson një nga momentet më themeltare të historisë moderne të Kosovës dhe mbetet pikë reference morale e historike për shtetin dhe vetëdijen kolektive. Ajo nënvizoi se në zemër të kësaj epopeje qëndron figura e komandantit legjendar Adem Jashari dhe sakrifica e Familjes Jashari, si simbol i përkushtimit absolut ndaj lirisë, duke e cilësuar kujtesën për ta si obligim të përhershëm moral.

Në këtë frymë, përvjetori u shënua përmes letërsisë si hapësirë e kujtesës dhe ndërgjegjes. Libri i Osekut solli para të pranishmëve 21 tregime që trajtojnë tema si humbja, mërgimi, sëmundja, faji dhe kujtesa, duke i vendosur personazhet mes realiteteve vendase dhe nordike.

Publicisti Shuquri Sejdijaj vlerësoi dimensionin humanist të veprës dhe prozën e ndjeshme të autorit, ndërsa kritiku letrar Qerim Kryeziu ndaloi te shtresëzimi simbolik i titullit “Zogj të harruar”, si metaforë e mërgimit dhe mallëngjimit, në tension mes harresës dhe kujtesës. Ai analizoi edhe tregime me tematikë lufte e sakrifice, si “Togu” dhe “Përvjetori”, ku kujtesa për dëshmorët ndërtohet si homazh dhe reflektim moral.

Kryetari i Shoqatës “Jehona”, Arben Vata, e cilësoi librin si pasqyrë të përvojës së emigrantit, ku atdheu shfaqet si mungesë dhe plagë e heshtur, ndërsa gjuha shqipe mbetet strehë identitare. Profesoresha e albanologjisë Entela Tabaku theksoi koherencën tematike dhe pjekurinë artistike të përmbledhjes, duke vënë në pah ndërthurjen e kujtesës individuale me atë kolektive.

Në përmbyllje, autori Shqiptar Oseku falënderoi të pranishmit dhe theksoi se përmes këtyre tregimeve ka synuar të ruajë kujtesën si akt përgjegjësie dhe ndërgjegjeje, duke e parë letërsinë si dialog mes përvojës personale dhe historisë së përbashkët.

Aktiviteti në Stokholm konfirmoi se kujtesa historike dhe letërsia mbeten forma të rëndësishme të rezistencës ndaj harresës, duke mbajtur gjallë reflektimin mbi sakrificën dhe lirinë.

Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.