Komuniteti shqiptaro-amerikan në Nju Jork do të mblidhet sërish për Edicionin e 5-të të Panairit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu Street Fair”, i cili do të zhvillohet më 3 maj 2026 në lagjen Belmont të Bronxit, e njohur tashmë si “Shqipëria e Vogël”.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm të edicionit të katërt, që mblodhi mbi dy mijë pjesëmarrës nga të pesë lagjet e qytetit dhe zonat përreth, panairi pritet të sjellë edhe këtë vit një atmosferë festive me muzikë, valle tradicionale, gastronomi shqiptare, aktivitete për fëmijë dhe prezantime kulturore për të gjitha moshat.
Ky aktivitet, që mban emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është kthyer tashmë në një traditë vjetore dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme të diasporës shqiptare në SHBA. Panairi organizohet në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptaro-Amerikane e Dora e hapur Inc. (Open Hand) në bashkëpunim me Këshillin Koordinues teë Diasporës dhe aktivistin Mark Gjonaj.
Ashtu si vitin e kaluar, pritet pjesëmarrja e përfaqësuesve institucionalë, personaliteteve të njohura shqiptaro-amerikane, artistëve, grupeve folklorike dhe bizneseve lokale që promovojnë kulturën, traditën dhe sipërmarrjen shqiptare.
Organizatorët bëjnë të ditur se janë të hapura mundësitë për sponsorë, biznese, ekspozues dhe reklama në gazetën e panairit. Për informacione të mëtejshme, të interesuarit mund të kontaktojnë në:
📧 [email protected]
☎️ 347-398-6161



