I mandatuari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, Albin Kurti, ka paraqitur sot para deputetëve ekspozenë qeverisëse dhe përbërjen e kabinetit të tij për mandatin e ri.
Në fjalën e tij, Kurti prezantoi prioritetet e qeverisë për vitet në vijim, si dhe emrat e ministrave dhe zëvendëskryeministrave që do të përbëjnë ekzekutivin.
Sipas propozimit të tij, Glauk Konjufca do të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ndërsa Donika Gërvalla zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë. Zëvendëskryeministër i tretë është propozuar Fikrim Damka.
Në kabinetin e ri, Hekuran Murati propozohet ministër i Financave, Andin Hoti ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, ndërsa Ejup Maqedonci ministër i Mbrojtjes.
Xhelal Sveçla është propozuar për Ministër të Punëve të Brendshme, Lulzon Jakxhiu për Ministër të Dixhitalizimit dhe Administratës Publike, ndërsa Arben Vitia për Ministër të Shëndetësisë.
Në fushën e arsimit dhe kulturës, Hajrulla Çeku propozohet ministër i Arsimit dhe Shkencës, ndërsa Saranda Bogujevci ministre e Kulturës dhe Turizmit.
Elbert Krasniqi propozohet ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Blerim Gashani ministër i Sportit dhe Rinisë, ndërsa Fitore Pacolli ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Armend Muja është propozuar për Ministër të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Mimiza Kusari për Ministre të Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Dimal Basha për Ministër të Infrastrukturës dhe Transportit, ndërsa Artane Rizvanolli për Ministre të Ekonomisë.
Në kabinet përfshihen gjithashtu Nenad Rashiq si Ministër për Komunitete dhe Kthim dhe Rasim Demiri si Ministër për Zhvillim Rajonal.
Prezantimi i kabinetit vjen në kuadër të procedurave për votimin e qeverisë së re në Kuvend, duke hapur rrugën për nisjen e mandatit të ri qeverisës.



