Një operacion i Guardia di Finanza-s në Peruxhia ka çuar në lëshimin e masave të sigurisë për shtatë persona, mes të cilëve edhe një restorator 48-vjeçar nga Folinjo, i cili u arrestua pasi në ambientet në dispozicion të tij u sekuestruan 68 kilogramë kokainë.
Sipas hetimeve dyvjeçare të kryera nga seksioni Goa i Gico-s pranë Njësisë së Policisë Ekonomike-Financiare të Komandës Provinciale të Guardia di Finanza-s në Peruxhia, droga transportohej nga Shqipëria me automjete të pajisura me hapësira të fshehta dhe më pas shpërndahej me shumicë në qytete si Peruxhia, Pistoia, Rimini, Montesilvano, Venecia, Mestre, Xhenova, Bolonja dhe Tolentino.
Sipas prokurorisë, kreu i dyshuar i grupit kriminal ishte ndaluar përtej Adriatikut pas dëbimit nga Italia, ndërsa drejtimin operacional në terren e kishte marrë zëvendësi i tij, i cili mbante kontaktet me furnitorët dhe blerësit me shumicë. Bashkëshortja e kreut të dyshuar dyshohet se kishte rolin e arkëtares, duke administruar të ardhurat dhe duke ndërmjetësuar komunikimin mes bashkëshortit dhe anëtarëve të tjerë të grupit.
Në skemë përfshiheshin edhe korrierë që transportonin ngarkesat e drogës në disa qytete italiane. Sipas përgjimeve, një prej tyre, gjatë një prej udhëtimeve me partneren e tij – edhe ajo nën hetim – kishte shprehur lodhjen dhe pakënaqësinë për aktivitetin e paligjshëm, por kishte vendosur të vazhdonte me shpresën se fitimet do t’i mundësonin martesën dhe blerjen e unazave.
Një pjesë e drogës u gjet në disa ambiente në dispozicion të restoratorit Gian Paolo Coresi, 48 vjeç, si dhe në tavanin e rremë të një picerie në Folinjo. Sipas hetuesve, aktiviteti i restorantit shërbente si mbulesë për pastrimin e parave të përfituara nga trafiku i drogës.
Coresi, i arrestuar në flagrancë në fillim të vitit 2025, është një nga shtatë personat ndaj të cilëve është caktuar masa e arrestit me burg. Nga të dyshuarit e tjerë – pesë shtetas shqiptarë dhe një rumun – tre rezultojnë të zhdukur, një ndodhet në arrest shtëpie (e dyshuara si arkëtare), ndërsa dy të tjerë janë në paraburgim.
Sipas prokurorisë së Peruxhias, grupi përdorte telefona të kriptuar që mund të fshiheshin ose rivendoseshin në distancë, si dhe aplikacione komunikimi me mesazhe të çastit. Hetuesit zbuluan gjithashtu se ata përdornin pajisje për të identifikuar praninë e kamerave të fshehta.
Gjatë hetimeve janë dokumentuar mbi 50 episode të lidhura me lëvizjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, duke zbuluar një rrjet të strukturuar dhe të mirëorganizuar trafiku ndërkombëtar droge.
https://www.lanazione.it/umbria/cronaca/fiumi-di-droga-dallalbania-custodia-9a15886f



