Kush ishte Rosolino Petrota, mjeku e intelektuali arbëresh që bashkoi dy kultura

E martë, 17 Nëntor, 2026

Rosolino Petrota lindi në Horën e Arbëreshvet (Piana degli Albanesi), e njohur atëherë si Piana dei Greci, në një familje arbëreshe me tradita të spikatura kulturore dhe qytetare. I ati, Salvatore Petrota, ishte një sipërmarrës i njohur, ndërsa i vëllai, Gaetano Petrota, mbetet një nga personalitetet më të rëndësishme të albanologjisë.

Pas përfundimit të studimeve klasike, Petrota u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Palermos. Studimet i ndërpreu në vitin 1915 për t’iu bashkuar ushtrisë italiane gjatë Luftës së Parë Botërore, ku shërbeu me dallim dhe u dekorua me Medaljen e Argjendtë dhe Kryqin e Luftës. Pas përfundimit të luftës, ai rifilloi studimet dhe në vitin 1920 u diplomua shkëlqyeshëm në mjekësi.

I specializuar në dermatologji, Rosolino Petrota nisi karrierën profesionale si asistent në spitalin “San Saverino”, për t’u angazhuar më pas në Bankën Kombëtare të Aksidenteve, ku iu besua drejtimi mjekësor për rajonin Sicili–Kalabri. Në vitin 1937, me kërkesë të Mbretit Zog, ai u vendos me familjen në Tiranë. Pas aneksimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939, Petrota u emërua kryemjek i Institutit të Aksidenteve në Shqipëri dhe njëkohësisht u bë deputet i Parlamentit Shqiptar.

Në tetor të vitit 1945, pas prishjes së marrëdhënieve zyrtare mes Shqipërisë dhe Italisë, ai u detyrua të largohej drejt Italisë. Më 20 prill 1947 u zgjodh deputet në Asamblenë e Parë Rajonale të Sicilisë, për qarkun e Palermos, nën siglën e Partisë Demokracia Kristiane, mandat të cilin e mbajti për tri legjislatura radhazi.

Përtej karrierës mjekësore dhe politike, Rosolino Petrota mbetet një nga figurat më të shquara intelektuale arbëreshe të shekullit XX. Ai dha një kontribut të çmuar në ruajtjen e gjuhës, identitetit dhe traditave arbëreshe, si dhe në forcimin e marrëdhënieve kulturore shqiptaro-italiane. Në vitin 1948 themeloi Qendrën Shqiptare për Studime Ndërkombëtare pranë Universitetit të Palermos, ndërsa në vitin 1959, nën drejtimin e prof. Ernest Koliqit, u krijua Instituti për Studime Shqiptare në Romë, të dyja me dekret të Presidentit të Italisë.

Në vitin 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Petrota organizoi një kuvend të madh përkujtimor në Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Palermo, ku u mblodhën arbëreshë, përfaqësues të shoqatës “Vatra”, shqiptarë nga trevat etnike dhe diaspora, si dhe studiues e albanologë të njohur vendas e të huaj.

Rosolino Petrota u nda nga jeta më 1 gusht 1969, duke lënë pas një trashëgimi të vyer intelektuale, kulturore dhe kombëtare, që vijon të jetë një pikë referimi për historinë arbëreshe dhe shqiptare.

Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.