Një sipërmarrës italian 54-vjeçar, Massimo Ferro, humbi jetën në muajin dhjetor pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për ngushtimin e stomakut në klinikën private “Trita Hospital” në Tiranë, të pronaruar nga Lindita Hoxha.
Sipas mediave italiane, Ferro kishte kontaktuar fillimisht një klinikë në Milano, ku i ofruan një udhëtim për në Tiranë për të kryer ndërhyrjen me një të tretën e çmimit të kërkuar në Itali. Operacioni në Tiranë ishte 4 400 euro, krahasuar me rreth 15 mijë euro që do të duhej të paguante në Itali.
Pas ndërhyrjes, 54-vjeçari shfaqi probleme shëndetësore dhe u dërgua në Qendrën Spitalore Universitare, ku ndërroi jetë më 22 dhjetor.
Prokurori i Padovës, Andrea Girlando, mori si të dyshuar kirurgun Andrea Formiga, i cili operoi në “Trita Hospital”, dhe dietologen Alessandra Freda, të dy nga Lombardia. Hetimet zbuluan se komunikimi me pacientin kishte ndodhur përmes WhatsApp, ku ishin dhënë informacionet, kostot dhe udhëzimet logjistike për operacionin.
Familjarët e viktimës deklaruan se nuk ishin respektuar procedurat e rekomanduara italiane dhe ndërkombëtare për kirurgjinë e obezitetit: nuk kishte trajnim dietik paraprak, vlerësim multidisiplinar apo përgatitje specifike para operacionit. I vetmi udhëzim ishte të mos konsumonte ushqim natën para ndërhyrjes.
Ferro, i diagnostikuar me diabet tip 2 dhe me peshë 108 kilogramë, i është nënshtruar testeve vetëm një ditë para operacionit. Kirurgu Andrea Formiga është aktiv prej disa vitesh në Qendrën Shëndetësore “Trita Hospital” dhe vjen një ose dy herë në muaj nga Italia për të kryer ndërhyrje kirurgjikale, duke operuar gjithashtu në Liguria dhe pjesë të tjera të Italisë.
Në faqen zyrtare të klinikës, kirurgu është promovuar si “doktor i mrekullive”, ndërkohë që tragjedia e fundit hedh dyshime serioze mbi procedurat dhe sigurinë e pacientëve në klinikën private.



