Një shqiptar 44-vjeçar nga Tepelena, Juliand Halili, i njohur edhe si Xhuliano Halili ose Niko, është konsideruar nga policia greke si një nga kriminelët më të rrezikshëm, i përfshirë në një seri krimesh brenda dhe jashtë burgjeve.
Halili është akuzuar për të paktën katër vrasje dhe një tentativë vrasjeje, ndërsa po hetohet edhe për vrasjen e fundit që ndodhi brenda burgut të Koridhalos në qershor 2024.
Sipas hetimeve, Halili ka vepruar disa herë nën urdhrat e kriminelit grek të famshëm, Vasilis Varelas, i cili është i njohur edhe si një “dublant i Chuck Norris” në filmat e viteve ’80. Varelas akuzohet për krime të rënda, përfshirë trafikimin e drogës.
Skena e parë e dhunës nga Halili daton më 6 mars 2009, kur ai qëlloi dy herë në kokë dhe një herë në gjoks ish-burrin e gruas së Varelas, në Nea Filadelfia. Viktima, megjithatë, arriti të mbijetojë. Në gusht të atij viti, Halili u përfshi në një atentat tjetër ndaj të njëjtit person në Igumenicë, por tentativa dështoi.
Në 11 nëntor 2008, Halili u hetua edhe për vrasjen e 29-vjeçarit Sotiri Psikopaida në Mikromani, Kalamatë, i cili u ekzekutua me katër plumba, njëri prej të cilëve në kokë.
Ngjarja më e tmerrshme ndodhi më 29 nëntor 2011, kur Halili vrau 35-vjeçarin Fillim Mesaja dhe të birin e tij, Oligert, vetëm 2 vjeç e gjysmë, pranë lumit Pamiso në Mesinia. Ky akt u krye sipas urdhrave të Varelas, për larje hesapesh mes familjeve.
Në vitin 2018, Halili u arratis nga Porti i Pireut gjatë transferimit drejt burgut, së bashku me të dënuarin Alfons Ndoci, por u kapën shpejt nga policia.
Më 2024, brenda burgut Koridhalos, Halili vrau të burgosurin 35-vjeçar Alfons Ndoci dhe plagosi 48-vjeçarin Altin Vokrri, vrasje që dyshohet të jetë porositur nga jashtë.
Autoritetet greke e konsiderojnë Xhuliano Halilin një figurë të rrezikshme të krimit të organizuar, i lidhur me vrasje, tentativë vrasje dhe trafik droge, duke theksuar ndikimin e tij brenda dhe jashtë sistemit të burgjeve.



