Një emigrant ilegal shqiptar do të deportohet nga Mbretëria e Bashkuar për herë të pestë, pasi u gjet i fshehur në pjesën e pasme të një rimorkioje të mbyllur hermetikisht.
Romeo Zani, 32 vjeç, shtetas shqiptar, është përpjekur në mënyrë të përsëritur të hyjë ilegalisht në Britani që prej vitit 2017, pavarësisht një urdhri deportimi të përhershëm të lëshuar ndaj tij.
Gjykata e Kurorës në Newcastle dëgjoi se Zani u vu për herë të parë në vëmendjen e autoriteteve kufitare në vitin 2017, kur ai pranoi se kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar “në pjesën e pasme të një kamioni” dhe se kishte punuar ilegalisht. Në dhjetor të atij viti, ai u deportua vullnetarisht në Shqipëri.
Megjithatë, Zani u rikthye sërish dhe në janar 2018 u arrestua, ndërsa në dhjetor të po atij viti u dënua nga Gjykata e Bristol-it për vepra penale që përfshinin posedim dokumentesh identiteti të falsifikuara, komplot për posedim droge të klasit B dhe pastrim parash. Ai u dënua me 20 muaj burg.
Më 11 janar 2019, ndaj tij u vendos një urdhër deportimi i përhershëm dhe më 7 mars 2019 u largua për herë të dytë nga Britania. Dy vjet më vonë, në janar 2021, Zani u rikthye sërish ilegalisht në vend, duke shkelur urdhrin e deportimit, dhe qëndroi i fshehur për më shumë se një vit.
Në gusht 2023 ai u arrestua nga policia e Bedford-it, ndërsa në janar 2024 nga policia e West Yorkshire-it, ku paraqiti një kërkesë për azil. Kërkesa u refuzua dhe më 3 maj 2024 ai u deportua për herë të tretë — shkelja e parë formale e urdhrit të deportimit.
Më pak se një vit më vonë, më 13 prill 2025, Zani u gjet në një jaht në Falmouth dhe dy ditë më pas u shpall fajtor për shkeljen e dytë të urdhrit të deportimit nga Gjykata e Magjistratëve në Cornwall. Ai u dënua me 12 muaj burg dhe më 14 gusht 2025 u deportua për herë të katërt.
Megjithatë, më 12 dhjetor 2025, Zani u rikthye sërish në Britani, ku u zbulua i fshehur në një rimorkio të vulosur që po shkonte drejt fabrikës Nissan në Sunderland. Prokurori Michael Bunch deklaroi se Zani kishte udhëtuar nga Shqipëria në Belgjikë dhe kishte paguar 5 mijë paund për t’u futur ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, duke pretenduar se “jeta e tij ishte në rrezik”.
Gjykatësi Nicholas Worsley e dënoi atë me dy vjet burg, duke e cilësuar veprimin si një “shkelje flagrante të ligjit dhe të urdhrit të deportimit”. Ai theksoi se kjo do të jetë hera e pestë që Zani do të largohet nga Britania.
Pas vuajtjes së dënimit, Romeo Zani do të deportohet sërish në Shqipëri, për shkeljen e tretë të urdhrit të deportimit të përhershëm.




